Gzim Rama zgjidhet në ekzekutivin e komunës Moudon të Zvicrës

Të dielën, më 22 shtator 2024, në gjithë Zvicrën ishte ditë e votimeve për referendume të ndryshme në nivel vendi, kantonesh e komunash por edhe për zgjedhje të asambleve ose ekzekutivit, në disa komuna.

Në komunën Moudon të Kantonit Vaud, në rend dite ishte zgjedhja e një anëtari të ekzekutivit komunal, pas tërheqjes nga drejtoria përkatëse e një politikaneje. Për vendin vakant ka kandiduar politikani i ri me rrënjë shqiptare, Gzim Rama, i cili para kësaj ishte kryetar i Asamblesë (kuvendit) të komunës.

“Po, dje jam votuar si drejtor i Infrastrukturës rrugore dhe hapësirave të gjelbra (urbanizmit), në ekzekutivin e Komunës Moudon.

Pas dorëheqjes së drejtoreshës së deritashme, komuna kaishte shpallur zgjedhje. Data 12 gusht, ora  12h00 ishe afati i fundit për të konkurruar si kandidat. Unë kandidova dhe të dielën, më 22 shtator, u zgjodha në këtë post”, thotë Rama për Albinfo.ch. Ai me këtë rast ka falënderuar të gjithë banorët e Moudon-it që e kanë votuar.

Ndryshe nga zgjedhjet në legjislativ, në nivelet komunale, ku kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm i politikanëve shqiptarë, në pozitat e ekzekutivit, numri i tyre është ende shumë i vogël. Gzim Rama, që nga e diela e 22 shtatorit, bën pjesë në mesin e tyre.

Gzim Rama është zgjedhur me shumicë të votave kryetar i Parlamentit të Komunës së Moudon-nit në qershorin e vitit të kaluar, shkruan albinfo.ch Zgjedhja e tij në këtë post përbën rastin e parë, që një politikan me prejardhje të huaj të zgjidhet në këtë nivel kaq të lartë. Ky hap vjen  pasi që një vit më parë ai qe zgjedhur nënkryetar i këtij parlamenti.

I lindur më 18.05.1988, në komunën e Medvegjës (Kosovë lindore), Gzim Rama është i martuar dhe ka një vajzë 9 vjeçe. Ka migruar në Zvicër në moshën 10-vjeçare gjatë luftës në Kosovë.

Ka të mbaruar shkollën e tregtisë dhe ka përfunduar disa specializime, po ashtu është edhe mësimdhënës për nxënësit për provimet praktike rreth diplomimit dhe u jep mësim studentëve në shkollat profesionale.

Flet 3 gjuhë: shqip, frëngjisht dhe ka studiuar gjermanishten.