Grupi rus i hakerëve Killnet ka shprehur mbështetjen për Hamasin dhe ka bërë një deklaratë në lidhje me Izraelin, ku akuzuan qeverinë izraelite për këtë sulm.
Ata i kanë kujtuar Izraelit edhe tradhtinë e tyre ndaj Rusisë, të cilët në vitin 2022 treguan mbështetjen e tyre ndaj regjimit terrorist në Ukrainë.
“Qeveria izraelite, ju jeni përgjegjës për këtë gjakderdhje. Në vitin 2022, ju mbështetët regjimin terrorist në Ukrainë. Ju tradhtuat Rusinë. Sot Killnet ju njofton zyrtarisht Të gjitha sistemet qeveritare të Izraelit do t’i nënshtrohen sulmeve tona!”, shkroi grupi rus i hakerave Killnet në X (ish-Twitter).
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Gaza do të paguajë një çmim shumë të lartë, Hamasi do të pendohet
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, vizitoi qytetin jugor Ofakim, të cilin terroristët e Hamasit e sulmuan ditën e djeshme dhe morën peng qytetarët izraelitë.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij, Gallant thekson se përgjigja e Izraelit në Rripin e Gazës “do të mbahet mend për 50 vite me rradhë dhe Hamasi do të pendohet që e filloi atë”.
“Rregullat e luftës kanë ndryshuar. Çmimi që do të paguajë Rripi i Gazës do të jetë shumë i lartë dhe do të ndryshojë realitetin për breza”, tha Gallant, raporton Times of Israel.