Hamasi konfirmon vdekjen e njërit prej komandantëve më të lartë të grupit palestinez

Hamasi konfirmoi se Faiq al-Mabhouh, kreu i operacioneve të shërbimit të sigurisë së brendshme të grupit palestinez, u vra gjatë operacionit izraelit në spitalin Al-Shifa të Gazës, raporton Sky Neës Arabia.

Ushtria izraelite konfirmoi se gjatë natës bastisi ndërtesat e spitalit Al-Shifa në Gazë, një operacion që sipas autoriteteve shëndetësore palestineze ka shkaktuar një numër të lartë viktimash. Por sipas trupave izraelite ata janë përballur me të shtëna sapo ishin futur në spital dhe më pas i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri.

“Ne kemi identifikuar se nga cilat zona erdhi sulmi. Trupat tanë po vazhdojnë operimin në zonën e spitalit”, thanë trupat izraelite në deklaratë.

Ata thonë se operacioni u ndërmor pas sigurimit të informacionit që spitali është përdorur si bazë e liderëve të lartë të Hamasit, si dhe duke marrë masat për të shmangur dëmtimin e pacientëve, civilëve, stafit mjekësor dhe pajisjeve mjekësore. SIpas IDF pacientëve të spitalit Al Shifa nuk u është kërkuar të evakuohen.