Hamza: S’duam koalicion me Vetëvendosjen, zgjedhjet i fitoi opozita

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët kanë votuar që opozita të udhëheqë me vendin, duke deklaruar se ai do t’iu ofrojë qytetarëve qeverisjen që duan.

Hamza ka thënë të hënën në një konferencë për media se PDK-ja s’do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën te ne në PDK dhe në LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti zgjedhjet si referendum për veten, por qëllimi s’u arrit. Ai i kërkoi 500.000 vota, por s’i mori. S’ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Në këto zgjedhje janë fuqizuar partitë opozitare. Ne s’do të përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në”, është shprehur ai.

Hamza ka thënë se PDK-ja ka dallime të mëdha me VV-në, duke shtuar se ata “duan pushtet absolut dhe s’kanë program”.

Kandidati për kryeministër ka thënë se po i pret rezultatet finale, derisa shtoi se i pret që t’i ketë mbi 200.000 vota. Duke folur për VV-në, Hamza tha se kanë nxitur urrejtje gjatë fushatës.

“Ata i ofenduan kundërshtarët e përmes kësaj edhe qytetarët e Kosovës. Nxitën urrejtje e ne bashkim dhe bashkëpunim, prandaj kemi detyrim që t’ua japim qeverinë qytetarëve që e duan dhe e kanë votuar. Do të ndërmarrim hapa në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës. Do të punojmë që t’u japim një qeveri që e ka votuar shumica”, ka shtuar ai.