Përveç luftës në Ukrainë, Rusia po përdor Iuftën hibride në vende të ndryshme për të arritur interesat e saj, paralajmëron Christoph Heusgen, kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë.
Heusgen i cili cilësohet edhe si këshilltari më me ndikim i ish-kancelares Angela Merkel për politikën e jashtme, në një intervistë për DW është pyetur edhe për atë se çfarë duhet bërë kundër Rusisë në Ballkan, ku Serbia historikisht është vend aleat.
“Ne e shohim këtë gjë dhe duhet të jemi më aktivë, duhet të jemi më të pranishëm atje. Nganjëherë të dhemb shumë kur sheh që në ato vende ku investitori më i madh, partneri më i rëndësishëm tregtar është BE-ja, njerëzit çmojnë Rusinë dhe madje demostrojnë në favor të Rusisë. Unë mendoj se ne duhet të bëjmë publicitet më të mirë duke treguar çfarë është duke bërë Evropa. Në vendet ku Rusia është popullore dhe ku nuk dënohet çfarë është duke bërë Rusia në Ukrainë, ne duhet të jemi më aktivë, ashtu siç duhet të jemi edhe jashtë Europës”, ka thënë ai.
Ai tha se një nga sfidat më të mëdha që po hasin është, se shumë vende të të ashtuquajturit Jugu Global, janë ekuidistantë, kanë vlerësim të njëjtë si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë, kur bëhet fjalë për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Dhe ne duhet ta bëjmë të qartë se ajo që Rusia është duke bërë në Ukrainë, nuk është vazhdim i konfliktit Lindje-Perëndim, por shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Sipas Kartës së OKB-së Rusia është duke shkatërruar njerëzimin, dhe ne duhet ta bëjmë këtë shumë të qartë. Por, ne mund ta bëjmë një gjë të tillë, vetëm nëse si Bashkimi Evropian ashtu edhe shtetet e veçanta janë më aktivë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine”.
Nga vitit 2017 deri më 2021, Heusgen ka shërbyer edhe si ambasador i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara në New York.