Një influencuese nga Brazili është bërë virale në rrjetet sociale pasi tregoi mënyrën e pazakontë se si zbuloi se po tradhtohej nga partneri i saj.
Wanessa Moura, 31 vjeç, e cila ka mbi 1.3 milion ndjekës në Instagram, është shumë e njohur për përkujdesjen e saj ndaj vetes dhe sidomos për organizimin perfekt të produkteve të bukurisë. Ajo tregon se çdo shishe, krem apo produkt ka vendin e vet dhe se është aq e kujdesshme, sa e di saktësisht se sa nga secili është përdorur.
“Jam e fiksuar pas organizimit. E di çfarë është e hapur, çfarë është e mbyllur, dhe çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet”, tha ajo për “NeedToKnow”.
Por kjo vëmendje ndaj detajeve i zbuloi asaj një të vërtetë të hidhur. Pas një udhëtimi pune, teksa po kryente rutinën e zakonshme të mbrëmjes, Wanessa vuri re se një prej kremrave nuk ishte në gjendjen që e kishte lënë – kapaku ishte i vendosur ndryshe dhe edhe tekstura e produktit nuk i dukej e njëjtë.
“E dija që dikush i kishte prekur produktet e mia. Dhe nuk isha unë”, tha ajo.
Edhe pse nuk bashkëjetonte me partnerin, ai kishte çelësin e apartamentit të saj. Wanessa ishte e sigurt që ai nuk do përdorte kurrë produkte të tilla, pasi ishte “nga ata djem që mendojnë se gjithçka përveç sapunit është e tepërt”.
Në atë moment ajo e kuptoi se dikush tjetër kishte qenë në shtëpinë e saj gjatë mungesës – shumë gjasa një grua tjetër. Ajo e përballi partnerin me dyshimet dhe ai e pranoi tradhtinë menjëherë.
“Është e dhimbshme. Por fakti që ajo kishte përdorur produktet e mia të shtrenjta pa leje – kjo ishte e pafalshme!”, shtoi ajo me ironi.
Rrëfimi i saj është bërë viral në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë mbetur të habitur nga vëmendja e saj ndaj detajeve dhe mënyra sesi një krem bukurie i zbuloi një tradhti.