Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ShBA-ja nuk është në gjendje të thotë kush qëndron prapa sulmit në Ibër-Lepenc që ndodhi të premten, duke theksuar se “është shumë herët”, meqë sipas tij, duhet hetim i “kujdesshëm”.
“Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, tha Hovenier para gazetarëve.
Tutje, diplomati amerikan ka theksuar se vendi i tij ofron mbështetje në hetimin e këtij rasti dhe se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme, duke potencuar se ShBA-ja.
“Ne angazhohemi për përgjigjen emergjente nga autoritetet e Kosovës dhe ndihmojmë në zgjidhjen e asaj që mund të ishte situatë e tmerrshme. Qëndrojmë në solidaritet me Qeverinë e Kosovës”, potencoi ai.
Ndryshe, bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar në termat më të ashpër – njëzëri – sulmin terrorist të së premtes në Veri, duke kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Më 29 nëntor, rreth orë 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit.
Kosova akuzoi Serbinë për sulm në infrastrukturën kritike të vendit, ndërkohë Serbia mohoi se ka gisht në këtë sulm.
Këtë ngjarje, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “akt terrorist” e “sabotim të neveritshëm i infrastrukturës kritike”.
“Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten mbi kanalin e ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok, në Veri të Kosovës”, thuhet në reagim.
“BE-ja kërkon nga të gjithë aktorët të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës dhe do të monitorojë nga afër zhvillimet”, potencohet aty ndër të tjera.
Përmes një komunikate për media në orët e vona të së shtunës, KFOR ka theksuar se është e rëndësishme që faktet të sqarohen dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë.
“Që nga mbrëmja e kaluar, personeli i KFOR-it ka ofruar siguri për tubacionin e ujit dhe zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar mbështetje logjistike, çmontim të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndërkaq lidhur me sulmin terrorist në Varagë të Zubin-Potokut, janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje.