Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas paralajmërimeve për një destabilizim të mundëshëm në Ballkan.
I pari i SHBA-së në Kosovë tha se ai fle i qetë duke e ditur se në Kosovë janë trupat e Ushtrisë amerikane dhe misioni i NATO’s, KFOR.
Hovenier në T7 u shpreh se trupat ndërkombëtare në Kosovë janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet.
“Ne i përcjellim shumë për së afërmi një varg gjëra që mund të jenë burim jostabiliteti në rajon. Dhe natyrisht, shpesh kemi folur publikisht kur ishim të shqetësuar për dislokimin specifik ushtarak rreth zonës kufitare. Dhe kjo vazhdon të jetë diçka që ne e përcjellim nga afër. Por, do të thosha gjithashtu se një nga mënyrat si e shprehim se sa seriozisht e marrim këtë është përkushtimi ynë afatgjatë për sigurinë e Kosovës, që më së mirë shprehet përmes misionit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së ShBA-së në të. Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet.”, tha ai.