Këtë të enjte ka hyrë në fuqi ligji për industrinë ushtarake, që i hap rrugë modernizimit dhe rivitalizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shoqëruar edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola vizituan uzinën e Mjekësit në Elbasan, për të çelur një kapitull të ri të kësaj industrie.
Ministri inspektoi disa nga mjediset e prodhimit dhe u njoh me punën që bëhet aktualisht në këto uzina. Ministri u takua me drejtues dhe punonjës të ndërmarrjes që ka nevojë emergjente për investime e që ligji i ri i siguron për ta transformuar sërish në institucion të rëndësishëm të mekanizmit ushtarak të vendit.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për industrinë ushtarake, bëhet i mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar të strategjisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale globale të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ringritja e industrisë ushtarake do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.