Në seancën e sotme të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari i për krime lufte, Ekrem Bajrovic ka thënë se nuk ka bërë asgjë dhe se nuk ndihet fajtor.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Bajrovic e ka dhënë në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk kam bërë asgjë dhe nuk ndihem fajtorë për të gjitha ato të cekura”, tha ai.
I njëjti pretendon se i ka ndihmuar popullatës shqiptare.
“Shpresoj që gjatë kësaj procedure do të vërtetoj sa i kam ndihmuar popullatës shqiptare”, shtoi Bajrovic.
Më pas, gjykatësi Mentor Bajraktari i njoftuar të akuzuari Bajrovic dhe mbrojtësin i tij kryesor, avokatin Ljubomir Pantovic se jo më vonë se 30 ditë nga dita e shqyrtimit fillestar t’i paraqesin propozimet për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së PSRK, të ngritur me 15 shtator 2023, Ekrem Bajrovic po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Në këtë aktakuzë, thuhet se i njëjti si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Sipas kësaj aktakuze, me 8 maj 1999, në fshatin Staradran, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari Bajrovic.
Tutje, thuhet se meshkujt janë ndarë nga pjesa tjetër e grupit, fillimisht ua marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj të gjithë i vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z. duke i renditur në radhë një nga një, e me duar të ngritura lartë dhe me fytyrë nga muri i oborrit.
Më tej thuhet se të njëjtin janë rrahur me mjete të ndryshme dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, si dhe duke ju thënë “ku e keni NATO-në, ku e keni UÇK-në”.
Po ashtu, aktakuza thotë se më pas i kanë dërguar një nga një në shtëpinë e Z.S. dhe i kanë pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast mbijeton i dëmtuari/dëshmitari Naim Elshani, i cili kishte mbetur i plagosur, kurse 15 të vrarë.
Tutje, aktakuza thotë se me 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar.
Ashtu që fillimisht të dëmtuarit i ndajnë nga kolona e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurakoc në lokalin e Shaban Sylës ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore.
Kurse, aktakuza thotë se me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc, ku kolonës i printe i akuzuari Bajrovic dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin Azem Tuzi në anën e djathtë nën brinjë.
Ndërkaq, në fund aktakuza thotë se pas vendosjes në stacionin policor në Gurakoc kanë filluar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht me jetë.
Andaj, sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 22 të Ligjit penal të ish RSFJ”./BetimipërDrejtësi