I riu në Fushë Kosovë bie pre e mashtrimit me kriptovaluta, ia ‘avullojnë’ mbi 15 mijë euro

Investimi në njësi monetare digjitale është bërë trend te qytetarët të cilët japin shuma të majme parash për kriptovaluta që supozohet të funksionojnë si sisteme pagesash te pavarura. Por tregu është i mbushur me persona të cilët zhvatin kriptomonedha përmes profileve e aplikacioneve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar edhe një person në Fushë Kosovë, i cili ka rënë pre e mashtrimit nga dy persona të cilët pretendonin se merren me shitblerjen e kriptovalutave.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ua ka transferuar të dyshuarve monedhat digjitale nga kuleta e tij në vlerë të mbi 15 mijë eurove. Bazuar në dëshminë e 31-vjeçarit dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari është larguar dhe nuk ka kryer pagesën për të cilën kishin rënë dakord.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë arritur që t’i identifikojnë tre persona të dyshuar, ku është arrestuar njëri prej tyre.

36-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’. Ndërkohë po vazhdojnë kërkimet për kapjen e dy të dyshuarve tjerë.

Ndryshe, kriptovalutat prodhohen nga llogaritjet kompjuterike jashtëzakonisht komplekse dhe nuk kontrollohen nga bankat qendrore, për dallim nga monedhat tradicionale si dollari dhe euro.

Kjo është arsyeja pse rregullatorët në mbarë botën po shtojnë paralajmërimet e tyre për mashtrim, ndërsa auditorët financiarë po punojnë për rregullore që janë të përshtatshme për industrinë.