Në Ditën e Ujit të Bekuar, që festohet me madhështi në qytetin e Beratit prej shekujsh, Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat paraqiti në rrjetet sociale ikonën e Pagëzimit.
Ikona e Pagëzimit, që paraqet një ndër skenat më të njohura biblike, është realizuar rreth viteve 1812-1814 nga Joan Çetiri. Ajo është pjesë e ikonave të vogla (festive) në ikonostasin e Katedrales Fjetja e Shën Mërisë, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.
Ikona paraqet pagëzimin e Jezu Krishtit nga dora e Johan Pagëzorit mbi lumin Jordan.
Në qendër kemi të kompozuar Krishtin në këmbë brenda në lumin Jordan, i vendosur mbi një panel të kuq që shtyp një përbindësh, simbol i dominimit mbi të keqen.
Në të majtë qëndron Pagëzori me veshjen e tij identifikuese dhe në të djathtë dy engjëj, që përforcojnë idenë e pranisë hyjnore.
Në pjesën e sipërme të ikonës dominon peizazhi dhe rrezatimi i Shpirtit të Shenjtë mbi Krishtin. Skena ka një atmosferë dhe kompozim surrealist dhe modern.