Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit ka mbajtur ditën e sotme një fjalim përpara Papa Françeskut. Ati i Shenjtë ndodhet sot në një vizitë historike në Marsejë ku edhe po bëhet mbyllja e Takimeve Mesdhetare.
Përballë krizës së emigracionit që po trondit Evropën pas mbërritjes së mijëra emigrantëve në ishullin italian të qytetit Lampedusa, Papa i bëri thirrje Evropës që të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj çështjeje sensitive.
Emigracioni ishte në qendër edhe të fjalimit të mbajtur nga Imzot Arjan Dodaj përballë Atit të Shenjtë.
Dodaj tregoi sesi ai vetë u rrit në një vend ku besimi fetar ishte i ndaluar me ligj dhe i vetmi kontakt që kishte me Zotin në një farë mënyrë ishin gjyshërit e tij që luteshin në fshehtësi.
“Gjyshja ime lutej para një stalle që më pas zbulova se kishte qenë kishë…Edhe gjyshi lutej fshehurazi.”
Arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës tregon më pas sesi pas rënies së komunizmit ai emigroi në Itali ku edhe gjeti rrugën drejt Zotit.
Në një fjalim që u shoqërua me duartrokitje, Imzot Arjan Dodaj theksoi ndër të tjera se bashkë me emigrantët nuk vinë vetëm vuajtjet por edhe shpresa dhe guximi për një jetë më të mirë.