“Institucionet e papërgjegjshme vrasin” Qytetarët me lot në sy protestojnë për vrasjen e Martin Canit

Shoqëria civile ka organizuar një protestë ditën e sotme para shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku u vra tragjikisht edhe 14-vjeçari, Martin Cani.

Me pankarta në duart ku shkruhet “institucionet e papërgjegjshme vrasin” ata janë mbledhur para shkollës dhe kanë nisur marshimin drejt ministrisë së Arsimit.

Një pjesë prej tyre janë parë edhe me lot në sy të prekur me vrasjen e të miturit. Protestuesit thanë se nuk ndjehen të sigurt. Madje kishte edhe fëmijë në protestë, që thanë se nuk shkojnë dot në shkollë pasi nuk janë të sigurt.

“Jetojmë të pasigurt, jetojmë me frikë. Ministrja e Arsimit duhet të japë dorëheqjen urgjentisht deri te oficerja e sigurisë që nuk ka bërë gjë.

Bullizimi në rrjetet sociale është një gjë që i shqetëson shumë të rinjtë sot. Ne këtu duam të vëmë theksin te Ministria e Arsimit, është inekzistente. E keni parë si i është mbyllur goja elitës intelektuale.

Unë i kërkoj qeverisë, ministres së Arsimit të japë dorëheqjen. Ndihemi të pasigurt. Unë kam dy vajza, vajza ime shkon në një shkollë ku rreth e qark shitet drogë. Ne duam siguri publike. Sot shoqëria shqiptare po pëson një krizë të vlerave. Është rritur mosha e minorenëve që kryejnë krime”, tha një prind.

Një vajzë 10-vjeçare që iu bashkua protestës tha se ndihet e tmerruar kur del nga shkolla.

“Të rriten masat e sigurisë në shkolla. Të kontrollohen çantat. Rrjetet sociale i shkatërruan. Celularin në dorë. T’i mbyllin rrjetet sociale. Do ishte zgjedhje. Nuk kontrollohet ajo. Në Kinë ta kontrollosh TikTokun. Duhen mbyllur dhe bashkëpunim me prindërit. Djali do ishte gjallë po të ishin bërë bashkë drejtoresha e shkollës, mësuesit, prindërit. Këtu ka dhe një problem se bëjnë dhe të tjerët, mirë ia bëri ai thonë. Ka efekt zinxhir”, tha një tjetër prind.

Një nënë u shpreh se prindërit duhet t’i kontrollojnë fëmijët.

“Nuk jam për mbylljen e rrjeteve sociale, prindërit e bëjnë zgjidhjen. Ata duhet t’i kontrollojnë”, tha ajo.

“Çfarë të them, a ka më keq?! Unë jam gjysh, a ka më keq për një gjyq. Mendoj se faji është tek Arsimi. Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë në mënyrë urgjente në shenjë respekti”, u shpreh një i moshuar.