Debati mes Serbisë dhe Kosovës nuk është vetëm mbi krimet dhe pretendimet territoriale por edhe për trashëgiminë kulturore.
Prishtina ka bërë gati një dosje me fakte të njohura më parë por edhe me mjaft dokumente të reja mbi artefaktet që beogradi nuk pranon ti kthejë për mbi dy dekada.
Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha shprehet se shkak janë përplasjet politikë
Enver Rexha: “Ato artefakte 1274, janë diçka më shumë arkeologjike 676, ndërsa afërsisht 570 janë etnologjike, janë pronë e institucioneve tona, më konkretisht në atë kohë kanë qenë pronë e Muzeut të Kosovës. Ne kemi pasur biseda, kemi pasur takime përmes edhe këto tri katër vite përpara, jo në fund edhe me përfaqësues ndërkombëtarë apo ambasada, që e kemi diskutuar këtë çështje, dhe e fundit ka qenë edhe në Shqipëri një takim që është bërë prej delegacionit kosovar-shqiptar dhe ndërmjetësuesve të tjerë dhe ka mbetur si çështje më shumë politike”.
Rexha kërkoi nga qeveria që në bisedimet e radhës të vendoset si pikë diskutimi, kthimi i tyre.
Enver Rexha: “Unë mendoj se çështja e artefakteve, e vlerësoj duke parasysh raportet Kosovë-Serbi, politike që duhet edhe të jetë njëra prej bisedimeve tani që po zhvillohen, të hyn edhe kthimi i artefakteve arkeologjike, pasurisë arkeologjike të Kosovës nga institucionet e Serbisë, që janë marrë padrejtësisht”
Muzeut Kombëtar dhe atij Etnologjik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve u është kërkuar zyrtarisht të kthejnë 1.247 artefakte që janë marrë nga lufta e fundit. Por beogradi është përgjigjur se ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë.
Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.