Investimi i dhëndrit të Donald Trump në Shqipëri, Rama flet për “Financial Times”: Do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për vendin

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer projektit të dhëndrit të Trump në ishullin e Sazanit duke e konsideruar atë një investim luksi për turizmin shqiptar. “Ne kemi nevojë për investime të huaja super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë”, ka deklaruar Rama në një intervistë të dhënë për “Financial Times” duke iu referuar planeve të Jared Kushner në Shqipëri.

Deklarata e Ramës në “FT Times” ishte pjese e një analize të kësaj media prestigjoze për planet e investimeve të dhëndrit të Trump në rajon, përfshirë dhe ato në Serbi në kontrast me lidhjet politike e këtij vendi me Kinën dehe Rusinë.

“FT Times” citon Ramën gjatë kësaj analize se “qasja fillestare për projektin miliona dollarësh të dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump për transformimin e ishullit të Sazanit u bë nga vetë Kushner”.

Rama ka deklaruar se Kushner ka bërë një kërkesë zyrtare për ishullin e Sazanit, që ai të investojë aty për ngritjen e një resorti turistik luksoz, që do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për vendin.

Projekti i Sazanit do jetë pjesë e rrjetit të resorteve Aman dhe që jep shërbime hotelerie luxyre për më të pasur në botës. Resortet Aman janë të ngritura në disa shtete të botës që nga Arabia Saudite, Tajlanda, Meksika, Italia, Indonezia, India e tani së fundi hartës do t’i shtohet edhe Shqipëria.

Resorti do të drejtohet nga marka ultra-luksoze Aman dhe qershia mbi tortë e këtij investimi do të jetë ushqimi Carbone. Jehonë këtij lajmi i bënë edhe mediat amerikane duke thënë që Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të hapin resortin luksoz Aman në Shqipëri.

Qëllimi është ta transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më tani vetëm si një bazë ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Kushner ka thënë që “Sazani është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.