Zyrtarët e Izraelit, duke filluar prej ministrit të Punëve të Jashtme, Israel Katz, e deri te ambasadaorja izraelite në Kosovë, Tammy Ziv, kanë falënderuar ngrohtësisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen e dhënë në mënyrë deklarative, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri kosovar u rreshtua me shumë liderë perëndimorë për të dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit mbrëmë, duke thënë se Kosova e mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe [mbështesim] të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, shkroi dje Kurti në X.
Këtë postim në X të Kurtit e shpërndau edhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, bashkë me një falënderim se “mbështetja nuk do të harrohet kurrë”.
“Faleminderit kryeministër Albin Kurti! Mbështetja dhe solidariteti nga liderët dhe kombet anembanë botës nuk do të harrohet kurrë. Ne e dimë se kush janë miqtë tanë. Regjimi i Ajatollahut ka kaluar vijën e kuqe – dhe shteti i Izraelit nuk do të qëndrojë i heshtur përballë sulmit brutal të Iranit ndaj qytetarëve tanë. E gjithë bota e lirë duhet të qëndrojë me Izraelin për të ndaluar boshtin iranian të së keqes – para se të jetë tepër vonë”, tha ai.
Mesazhin e shefit të saj e përhapi edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. “Ju faleminderit ngrohtësisht për mbështetjen tuaj të çmuar, Shkëlqesia Juaj Kryeministër z. Albin Kurti”.
Kjo është hera e dytë që Kurti dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Në prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se ishte një “akt i paprecedentë”.
“Unë dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky akt i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e të gjithë rajonit. Tani, më shumë se kurrë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, kishte thënë Kurti.
Ai gjithashtu për këtë konflikt në Lindje të Mesme kishte shkruar dy ditë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, edhe atëbotë duke i dalë në mbështetje shtetit hebre.