Shërbimi i inteligjencës izraelite, Mossad punësoi agjentë të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC) për të vendosur eksploziv në rezidencën e liderit të vrarë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.
The Telegraph shkruan se plani fillimisht parashihte vrasjen e Haniyeh kur ai vizitoi Teheranin në muajin maj për të marrë pjesë në funeralin e presidentit iranian, Ebrahim Raisi, por dy zyrtarë iranianë i thanë gazetës se operacioni u anulua për shkak të numrit të madh të njerëzve në ndërtesë dhe perspektiva e dështimit.
Gazeta britanike thekson se agjentët megjithatë vazhduan dhe vendosën eksploziv në tre dhoma të kompleksit dhe më vonë u larguan nga Irani. Ata dyshohet se shpërthyen bombat nga jashtë.
“Ata tani janë të sigurt se Mossad punësoi agjentë nga njësia e sigurisë Ansar al-Mahdi”, tha për gazetën një zyrtar i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, duke iu referuar njësisë së ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve të rangut të lartë.
Një tjetër zyrtar i IRGC tha se ishte një poshtërim për Iranin dhe një shkelje e madhe e sigurisë.
“Është ende një pyetje për të gjithë se si ndodhi, nuk mund ta kuptoj. Duhet të ketë diçka më të lartë në hierarki që askush nuk e di”, shtoi zyrtari.
Ndryshe, Irani ka paralajmëruar hakmarrje pas vrasjes së Haniyeh në territorin e saj ndërsa tashmë SHBA-ja ka paralajmëruar se do ta mbrojë shtetin izraelit sikurse në muajin prill kur iranianët lëshuan qindra raketa në drejtim të Tel Avivit.