Një natë nën zhurmën e shpërthimeve raketore ka qenë ajo në Gaza, pas inkursionit të organizuar nga militantët e grupimit terrorist Hamas, të cilët i shkaktuan Izraelit një prej disfatave më të mëdha në historinë e mbrojtjes së vendit.
Bilanc tragjik është ai i 24 orëve të para, ku 300 persona të paktën kanë mbetur të vrarë në Izrael, me mijëra të plagosur dhe nga ana tjetër, 256 palestinezë kanë gjetur vdekjen prej arkëtimeve izraelite, me mbi 1 mijë e 800 të plagosur, të cilët kanë tejmbushur spitalet.
Ushtria e Izraelit e ka bërë të qartë se ka ndërmend të zhvillojë një sulm si asnjëherë më parë në Rripin e Gazës dhe u ka kërkuar civilëve të largohen sa më parë.
Raketimet gjithsesi nuk janë ndalur në asnjë çast gjatë gjithë natës e ato madje janë shtrirë edhe në Liban, për të goditur qendra të grupimit ekstremist Hamas.
Nga ekspertët, paralajmërohet se rreziku është ai i një lufte që do të zgjasë muaj.
Një tjetër vatër konflikti të përshkallëzuar në botë kështu, pas rikthimit të luftës në kontinentin e vjetër vitin e shkuar, me agresionin rus në Ukrainë.
Vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendin e tij e pret një luftë “e gjatë dhe e vështirë”.
Një turbullim tërësor i ka kapluar mendjen e të gjithëve në Lindjen e Mesme, pasi nuk e besonin se me aq lehtësi, Hamasi (pa u pikasur më parë) do të godiste shtetin hebre.