Izraeli zhvilloi një operacion ushtarak në orët e para të mëngjesit në spitalin e Al Shifas, i cili në ditët e fundit është bërë kryefjala e lajmeve nga lufta në Gaza, për shkak se mijëra pacientë janë në mëshirë të fatit për shkak të ndërprerjes së energjisë dhe furnizimit me naftë për të mbajtur në punë pajisjet mjekësore.
Qindra ushtarë dhe tanke rrethuan spitalin, në atë që ushtria izraelite e cilësoi përmes një postimi në rrjetet sociale, si një operacion special kundër Hamasit, që dyshohet se ka një bazë nëntokë.
Në postim gjithashtu iu bëhej thirrje të gjithë militantëve të grupit terrorist që të dorëzoheshin për të shmangur fatalitetet në radhët e civilëve.
Dëshmitarë nga vendngjarja treguan për mediat ndërkombëtare, se qindra ushtarë të maskuar hynë në kompleksin spitalor dhe iu bënë thirrje të pranishmëve që të mos lëviznin, deri në identifikimin e tyre të plotë.
Hamasi reagoi menjëherë për këtë operacion të Izraelit duke e quajtur atë një krim kundër njerëzimit. Ministri i Shëndetësisë, Mai Al-Kaila shkroi në rrjetet sociale se në ambientet e spitalit po ushtrohet dhunë ndaj pacientëve.
Ndërkohë, Al Kaila i bëri dhe një apel komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë për të shpëtuar 1500 anëtarët e personelit si dhe pacientët që ndodhen në al Shifa.
Gjatë ditës së fundit ka pasur një debat të ashpër që është shpërndarë dhe në perëndim për sulmet pranë strukturave spitalore në Gaza, por ushtria izraelite insiston se Hamasi ka fshehur bazat e tij poshtë tyre, duke përdorur mjekët dhe civilët si mburoja njerëzore.