Pas sulmit të SHBA ndaj tre bazave iraniane, Izraeli dhe Irani kanë kryer sërish sulme ndaj njëri-tjetrit. Ushtria izraelite kreu sulme gjatë natës kundër “objektivave ushtarake” iraniane, duke përfshirë vendet e lëshimit dhe magazinimit të raketave, ndërsa Irani nga ana tjetër, lëshoi raketa në disa zona të Izraelit.
IDF shënjestroi gjithashtu edhe 6 aeroporte të Iranit, ku u goditën pistat e fluturimit dhe avionë F-14, F-5 dhe AH-1. Në mëngjes, Forcat Ajrore bombarduan objekte ushtarake në Kermanshah.
Nga sulmet iraniane në Izrael, u raportua për disa të plagosur. Shpërthime të forta u dëgjuan edhe në Tel Aviv, ndërsa sirena u lëshuan edhe në zona të tjera si Haifa dhe Jerusalem. Më vonë, nga sulmet izraelite u godit baza Sarallah të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC – pasdaranët) në Teheran, ku sipas IDF, shumë anëtarë u vranë. Po ashtu, një universitet si dhe burgu Evin në Teheran u goditën. Në burgun Evin, janë vendosur të gjithë kundërshtarët e regjimit si të burgosur politikë. Në shënjestër u vu edhe transmetuesi shtetëror iranian “Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB), ku u ndërprenë transmetimet. Ky është sulmi i dytë ndaj televizionit, pasi javën e kaluar u vranë disa punonjës.
Çfarë është burgu Evin në Teheran, ose ndryshe ‘Burgu i frikës’ që sot u bë objektiv i bombardimeve izraelite

Teheran, një nga institucionet më famëkeqe të regjimit iranian, është goditur sot nga forcat izraelite në kuadër të një operacioni ushtarak që synon objektiva strategjikë dhe simbole të shtypjes së brendshme të regjimit. Sulmi ka shkaktuar dëme në disa pjesë të strukturës, ndërsa raportimet e para flasin për tentativë arratisjeje nga disa të burgosur.I ndërtuar në vitin 1972, burgu Evin ndodhet në pjesën veriore të Teheranit dhe është kthyer në një nga simbolet më të errëta të represionit shtetëror në Iran. Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, ky burg u shndërrua në qendër të mbajtjes së të burgosurve politikë, gazetarëve kritikë, aktivistëve për të drejtat e njeriut, akademikëve, avokatëve, si dhe shtetasve të huaj apo me shtetësi të dyfishtë që akuzohen për spiunazh.
Evin është dënuar ndërkombëtarisht për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut. Raportet e shumta përfshijnë tortura fizike dhe psikologjike, ndëshkime pa gjyq të drejtë, mungesë trajtimi mjekësor, izolim të zgjatur dhe dhunë seksuale. Organizata ndërkombëtare si Amnesty International dhe Human Rights Ëatch e kanë përshkruar atë si një “shtëpi terrori shtetëror”.
Burgu Evin është përmendur shpesh për incidentet e rënda që kanë ndodhur brenda mureve të tij. Një prej tyre ishte zjarri shkatërrues në vitin 2022, ku mbetën të vdekur të paktën 8 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sipas dëshmitarëve dhe familjarëve të të burgosurve, zjarri u përhap pas një proteste të brendshme, por autoritetet iraniane dhanë versione kontradiktore për shkakun real.
Në arenën ndërkombëtare, Evin shërben gjithashtu si një mjet presioni diplomatik. Të burgosurit me shtetësi të huaj shpesh mbahen për të nxitur negociata dhe shkëmbime të favorshme për regjimin iranian, duke e kthyer këtë institucion në një levë politike të fuqishme në duart e Teheranit