Ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i “sigurt dhe i rehatshëm” në Kosovë, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës të dielën në Prishtinë, thanë të shtunën trajneri dhe kapiteni i Izraelit.
Trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni Eli Dasa e falënderuan Kosovën për mirëpritjen, pasi mbërritën në kryeqytetin kosovar të premten nën masa të rrepta të sigurisë.
Izraeli do të përballet me Kosovën – vend me shumicë myslimane – në atë që është ndeshja e parë e kombëtares izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.
Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.
Të shtunën më herët, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.
Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin
Disa ditë para kësaj ndeshjeje, një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, por Policia e hodhi poshtë kërkesën e tyre për shkaqe sigurie.
Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij. Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.
Edhe të shtunën kishte kontrolle të rrepta të sigurisë në hyrje të stadiumit dhe brenda tij nga zyrtarët e sigurisë.
I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë nëse kjo ndeshje është barrë për ta, Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.
“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.
Ai shtoi se ndihet “krenar” që ndodhet në Kosovë dhe se “uron që populli ynë dhe populli juaj [kosovar] do të jetojnë në paqe në të ardhmen”.
“Ne ndihemi të sigurt këtu dhe duam ta jemi mirënjohës për gjithçka që na kanë dhënë Qeveria dhe të gjithë njerëzit në Kosovë për mikpritjen”, tha Hazan, por bëri thirrje që njerëzit e Kosovës dhe të Izraelit të përqendrohen vetëm në futboll.
Kapiteni Dasa tha se ndihet “rehatshëm” në Kosovë dhe por, “po ashtu, ne nuk frikësohemi, ne jemi njerëz të Izraelit dhe jemi këtu për ta përfaqësuar vendin tonë.”
Kapiteni i Kosovës: Fishkëllimat dhe protestat ndodhin gjithkund
Kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqi, tha se nuk është në dorën e lojtarëve t’i ndalin fishkëllimat dhe protestat e tifozëve në stadium, me të cilat futbollistët e Izraelit mund të përballen gjatë ndeshjes së tyre kundër verdhekaltërve.
Sulmuesi i ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqi, gjatë një konference për media para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 mes Kosovës dhe Izraelit në Prishtinë, 11 nëntor 2023.
I pyetur nëse pret që futbollistët izraelitë të fishkëllehen nga tifozët kosovarë në Stadiumin Fadil Vokrri për shkak të luftës së vendit të tyre në Rripin e Gazës, Muriqi ngurroi të flasë por tha se “është diçka që ndodh”.
“Për Izraelin është lojë e veçantë, por nuk dua të flasë jashtë fushës. Fishkëllimat ka në të gjitha stadiumet dhe fishkëllimat dhe protestat ne nuk mund t’i ndalim, kështu që, ne brenda fushës do të mundohemi të luajmë futboll, sa i përket tifozëve jashtë fushës, secili e ka përgjegjësinë e vet, prandaj nuk jam i interesuar për këtë punë personalisht”, tha Muriqi.
Stadiumi Fadil Vokrri zë rreth 14.000 tifozë.
Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha, tha se lufta Izrael-Hamas nuk duhet të ndikojë në këtë ndeshje dhe se për të nuk është diçka e jashtëzakonshme të luash futboll në kohë lufte.
“Për mua, [nuk ndikon] jo aspak, sepse kjo është jeta, ne kemi pasur luftë në Jugosllavi, kemi luajtur në kushte të ngjashme. Por, futbolli është futboll. Jam shumë i pikëlluar për këtë [luftë]”, tha Gliha, i cili luante si futbollist profesionist për Dinamon e Zagrebit kur atdheu i vet, Sllovenia, u pavarësua nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.