Ja si u kundërvihet Kadare tezave greke e serbe për Skënderbeun

Është i njohur fakti që historia e Skënderbeut ka qenë frymëzuese për shkrimtarin më të madh të epokës sonë, Kadarenë. Një figurë që e ka çuar shkrimtarin tonë të madh në një piedestal. Tezat greke dhe ato serbe, për të përvetësuar figurën tonë legjendare, kanë sjellë dhe reagimin e shkrimtarit tonë të madh. Ja çfarë ka thënë ai kundër këtyre tezave dhe mendimet e tij mbi Skënderbeun…

“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë kaq famë në Evropë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq.

Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky është një rrugëtim shumë i gjatë. Tani kanë dalë lloj-lloj sofistash që thonë, po jo turqit s’kanë qenë aq të këqinj. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me ta? Pesëqind vjet e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne shqiptarët, e pati greku, që mbahet si flamurtar kundër Turqisë, serbët, bullgarët, gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vërtetë!

…Para ca kohe u përhap se jo vetëm djepi, por dhe kurora e Serbisë është Kosova, por edhe heroi ynë, Skënderbeu, është serb. Doli më vonë një sulm mbi Skënderbeun. Nga mund të jetë sllav ai? Nëna mund të jetë ose është dhe s’do të thotë asgjë. Feudalët e mëparshëm martoheshin ashtu. Dhe as na turpëron fare ne një gjë e tillë. Kjo s’ka të bëjë fare. Po vete më tutje, edhe babai i Skënderbeut mund të ishte sllav, punë e madhe! Emri i tyre ishte i lidhur vetëm me Shqipërinë. S’ka asnjë rëndësi, vetëm idiotët mund të mbahen pas këtyre tezave.

E quan historiani Schmidt Ivan Kastrioti babanë e Skënderbeut, sepse ka gjetur diku në dokumente sërbe, ne e morëm me shumë nxehje këtë gjë. Problemi është t’i thuash: more zotëri sërb, a ishte sërb Skenderbeu? Po pika të raftë, ai të braktisi, s’donte të ta dëgjonte emrin ty, ai erdhi e u dashurua me një atdhe tjetër, ta zëmë se, në qoftë se! Ju jeni turpëruar, jo ne.

…Familja Gjon Kastrioti, Gjergj Kastrioti, janë të lidhur me Shqipërinë në mijëra e miliona dokumente e pikë. Miti ishte i keq, se në vulgun botëror pi ujë kjo gjë edhe sot. Po ne duhet të dinim të shpjegonim, e jo te druhemi se obobo e bëri një zviceran, gjerman dhe s’duhet kundërshtuar. Ia thua dhe gjermanit dhe austriakut dhe kujtdo. Ç’do të thuash me këtë, le që s’është e vërtetë, po përse i jep kaq bujë të madhe?…(I.Kadare, Köln, 12.12.2010)

…Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdha mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar. Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë.

Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit. Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike. Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar.

U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes. Arbëreshët e cilësojnë si “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm. ( I.Kadare, Prishtinë, 06.2014, për “Zërin e Kosovës )

Poezia e Kadaresë mbi Skënderbeun

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

/konica.al/