Jakshiç: Është sekret publik se Goran Rakiç është rrahur – ka një krah të thyer dhe qepje të shumta në kokë

Marko Jakshiç nga “Lëvizja Komëbtare e Serbëve nga Kosova” ka thënë se është “sekret publik” se ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, është rrahur në Mitrovicë të Veriut, madje, sipas informacioneve të tij, ai ka një krah të thyer dhe qepje të shumta në kohë dhe se është duke u trajtuar në shtëpi.

Para disa ditësh u raportua se Rakiç, aktualisht deputet në Parlamentin e Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – është rrahur brutalisht në Mitrovicë të Veriut, por nga Policia e Kosovës thanë se nuk kanë ndonjë informacion, pasi që rasti në fjalë nuk është paraqitur te autoritetet e rendit.

“Epo, po, ai u rrah. Është një sekret publik këtu. Ai ka marrë ndihmë dhe është liruar për mjekim në shtëpi. Pse qeveria nuk e pranon publikisht është një pyetje tjetër. Ndoshta sepse është nusja e tyre”, ka deklaruar Jakshiç në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”.

“Në thelb, ju e dini që unë kam qenë drejtor i spitalit dhe se shumë kolegë të mi punojnë atje. Pra, njeriu ynë është rrahur, ka një krah të thyer dhe një numër të madh të qepjeve, para së gjithash në kokë. Thuhet se dy veta e kanë rrahur, por askush nuk thotë se kush janë ata”, shtoi.

I pyetur nëse sulmuesit janë serbë apo shqiptarë, mjeku politikan nga Veriu i Kosovës potencon se “thuhet se janë serbë”.

“Tani pse u rrah Rakiç? Unë vetëm mund të hamendësoj dhe supozoj se përfshihen disa marrëdhënie personale. Ai ka qenë në krye të Listës Serbe për një kohë të gjatë, nuk ka ndihmuar askënd, por sigurisht ka dhënë premtime”, pohon ai, duke shtuar se njerëzit “janë të zëmruar me Listën Serbe”.

“Duke patur parasysh që ka ndodhur në çështje të vogla, një ose dy orë pas mesnate, ka mundësi që shoqëria të jetë ‘nxehur’ dhe pastaj nuk ka nevojë për shumë arsye për të shpërthyer”, thekson.

Ndryshe, Rakiç është një politikan serb nga Veriu i Kosovës, i cili si Kryetar i Listës Serbe ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës, si atë të Zëvendëskryeministrit.

Rakiç, ngjashëm si partia që ka udhëhequr, është i kontrolluar totalisht nga Serbia, përkatësisht nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka qenë Kryetar i Listës Serbe deri në tetor të vitit 2023. Dorëheqja e tij kishte ardhur pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, në Banjë të Zveçanit.

Grupi paramilitarë serbë ishte i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, terroristi Milan Radojiçiç, i cili po ashtu dha dorëheqje nga pozita e tij në parti pas këtij sulmi dhe qëndron në Serbi, pasi që është i kërkuar nga autoritetet kosovare.

Pas dorëheqjes si kryetar i Listës Serbe, Rakiç iu fut garës për deputet në Serbi, në listën e Partisë Progresive Serbe (SNS), ku edhe arriti që ta fitoi mandatin e deputetit.