“Jemi plotësisht dakord me administratën amerikane”, Kremlini: Dialogu Rusi-SHBA do të rifillojë për të gjitha parametrat

Rusia dhe SHBA-ja kanë rënë dakord të rifillojnë dialogun për “të gjitha parametrat”, njoftoi Kremlini, në një kohë kur të dy palët janë në proces të afrimit diplomatik për të zgjidhur luftën në Ukrainë.

“Është marrë një vendim për të rifilluar dialogun ruso-amerikan në të gjitha parametrat,” tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov në një konferencë me gazetarët.

Peskov po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një shkëmbim të ri të mundshëm të të burgosurve midis Moskës dhe Uashingtonit.

“Kjo çështje është në agjendën e marrëdhënieve tona dypalëshe, nuk do të përjashtohet”, tha Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit iu referua edhe qëndrimit të presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se Moska “pajtohet plotësisht” me këtë qasje.

“Ne jemi dakord me qeverinë amerikane”

“Ata flasin për nevojën që të arrihet paqja sa më shpejt dhe kjo të bëhet përmes negociatave. Ne jemi plotësisht dakord me administratën amerikane,” tha Peskov.

Sipas tij, SHBA “ishte dhe mbetet” “forca kryesore lëvizëse” që ofron “kontributin më të madh financiar duke nxitur” konfliktin në Ukrainë.

Peskov akuzoi edhe një herë ish-administratën e Joe Biden se dëshiron të “vazhdojë luftën deri në ukrainasin e fundit” dhe se ka shpenzuar paratë e taksapaguesve amerikanë për të.

Megjithatë, ai deklaroi se tani për tani ka “pak gjëra të prekshme” për të arritur një zgjidhje të konfliktit, kryesisht për shkak të “mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Kievit”.