Këshilli i Ministrave vendosi në mbështetje “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” e “Manastirit të 40 Shenjtorëve”.
Në vendim, miratohet edhe zonimi i zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” dhe “Manastirit të 40 Shenjtorëve”, sipas koordinatave dhe hartave të zonimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), shkruan atsh.
Këshilli i Ministrave miratoi po ashtu planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.
Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e mëparshëm të vitit 2012, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës dhe miratimin e rregullores së administrimit”.
Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi dhe aktet nënligjore në fuqi. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës në Gjeoportalin Kombëtar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.