Kampioni i Belgjikës, Arbnor Muja i bashkohet kombëtares shqiptare

Një tjetër talent nga Dardania i bashkohet Kombëtares shqiptare. ArbnorMuja zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi dhe së fundmi u pajis me pasaportën e vendit tonë.

24-vjeçari i lindur në Mitrovicë do të jetë afrimi më i ri i trajnerit Sylvinho, për dy sfidat kualifikuese, më 7 shtator kundër Republikës Çeke dhe më 10 shtator përballë Polonisë.

Arbnor Muja është një prej lojtarëve më në formë të momentit nga trojet shqiptare. Në vitin 2022 ai u transferua te Antwerp në elitën e futbollit belg dhe në harkun e një sezoni fitoi gjithçka.

Pas titullit kampion në Belgjikë, ekipi i tij fitoi edhe Kupën dhe Superkupën. Muja ishte gjithmonë protagonist në fushë, në aktivizimin si sulmues krahu, ku në 27 ndeshje të luajtura në kampionat shënoi edhe tre gola.

Katër muaj më parë, lojtari i talentuar u grumbullua për herë të parë në përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe atij nuk i’u dha asnjëherë shansi nga ish-trajneri Alen Zhires.

Fakti që nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Dardanët e bëri edhe më të thjesht zgjedhjen e Arbnor Mujas për të luajtur me Shqipërinë, por ndihmoi edhe në procedurën me FIFA-n, rreth rregullave të përfaqësimit të futbollistëve.