Sulmuesi Mirlind Daku ka reaguar në rrjetet sociale të hënën pasdreke, teksa në një postim të tij në rrjetet sociale, ku ka vendosur fotografinë e momentit të golit ndaj Polonisë, Daku ka shkruar: “Shqipëri, o nëna ime!”. Ky postim i Dakut vjen pas shkrimeve të mediave serbe, të cilat reaguan ashpër për tatuazhin e Dakut “Katana 138”, që ai e zbuloi pas festës së golit ndaj Polonisë, ndeshje të cilën Shqipëria e fitoi me shifrat 2-0 dhe ishte e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2024”-ës.
Madje, është raportuar se serbet kanë kërkuar nga UEFA që ta dënojë Dakun, teksa ato nuk nuk e kanë pranuar me veprimin e sulmuesit Mirlind Daku. Ky i fundit, pasi shënoi gol për Shqipërinë në ndeshjen kundër Polonisë, e hoqi fanellën dhe zbuloi tatuazhin “Katana 138” kushtuar komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani.
Arsyeja përse serbet kanë kërkuar edhe dënimin e Dakut nga UEFA për veprimin e tij, është se Ramadanit ata i janë referuar si komandant i UÇK-së, të cilën e kanë quajtur organizatë terroriste. “Daku u ndëshkua me karton të verdhë për shkak të heqjes së fanellës, ku zbuloi edhe tatuazhin e tij në shpinë. Në fokus ishte pseudonimi luftarak e të ndjerit Agim Ramadani Katana, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës famëkeqe dhe terroriste, e cila luftoi për shkëputjen e Kosovës dhe Metohisë.
Në tatuazhin e tij shkruante Katana 138”, – ka shkruar e përditshmja serbe “Blic”. Kjo media ka shkuar edhe më larg, duke thënë se Daku është futbollist i lindur në Serbi, më saktë, në Gjilan dhe së fundmi ka vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar.