Pajisjet personale të komunikimit të grupit Hezbollah në Liban dhe Siri kanë shpërthyer njëkohësisht duke lënë dhjetra të vdekur e qindra të plagosur.
Edhe pse Izraeli nuk e ka pranuar autorësinë, sulmi konsiderohet nga ekspertët në Lindjen e Mesme si një nga operacionat më komplekse të kryera ndonjëherë nga Mossad.
Fillimisht u shpërthyen sinjalizuesit e Hezbollah që njihen ndryshe si “bipers”.
Dyshohet se Mossad injektoi material shpërthyes brenda pajisjeve që Hezbollah bleu në fillim të këtij viti, nga brendi Gold Apollo, por të prodhuara në Hungari.
Si pasojë e sulmit të koordinuar shpërthyen 3 mijë bipersa duke lënë të vdekur 12 persona, qindra të dëmtuar, me mbi 500 persona humbën shikimin.
Të mërkurën ndodhi një sulm i dytë ndaj grupit Hezbollah, ku shpërthyen njëkohësisht radiomarrësit e militantëve të Hezbollah në pjesën jugore të Libanit dhe në rrethinat e Bejrutit.
Si pasojë e sulmit ndërruan jetë 20 persona dhe u plagosën 450 të tjerë.
E gjithë kjo situatë ka shkaktuar panik në Liban ku edhe qytetarët ndihen të frikësuar.
BBC ka ndarë dhe disa dëshmi nga qytetarët, të cilët shprehen se kanë frikë të qëndrojnë përpara telefonave të tyre, pasi mendojnë se mund të shpërthejnë.
“Të gjithë janë thjesht në panik”, tha për BBC një qytetare.
“Ne nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë laptopëve tanë, telefonave tanë. Gjithçka duket si një rrezik në këtë pikë dhe askush nuk di se çfarë të bëjë,” thotë ajo.
“Kam frikë nga lufta në shkallë më të gjerë në Liban, kam frikë për popullin tim, kam frikë për qytetin tim, kam frikë për vendin tim. Sepse ne meritojmë më mirë dhe po paguajmë çmimin e një lufte midis Hezbollahut dhe Izraelit, Iranit, të gjithë ne meritojmë më mirë”, nënvizoi ajo.