Kërcënimi në Kuvendin e Kosovës, Kurti largohet nga Kuvendi drejt Qeverisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka lëshuar objektin e Kuvendit të Kosovës pasi Policia e Kosovës ka kërkuar nga gjithë ta lirojnë objektin e Kuvendit pas një kërcënimi me telefon që ka ndodhur.

Kurti s’ka folur për mediat derisa është larguar.

Pak para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive, Policia e Kosovës ka urdhëruar për evakuim deputetët, stafin dhe mediat në Kuvendin e Kosovës pas dyshimeve për mjet shpërthyes.

Policia konfirmoi për Gazetën Express se “është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së”.

Gazeta Sinjali raporton me burime se mesazhi kërcënues në gjuhën angleze ka arritur përmes një mesazhi, konkretisht në adresën e një punëtoreje në zyrën e Kryetarit Glauk Konjufca.

Përmbajtja e mesazhit paralajmëronte se një bombë ishte vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit dhe se do të shpërthente pas 10 minutash.

“Pasi punëtorja e ka pranuar mesazhin, ajo ka njoftuar menjëherë sigurimin dhe njësinë përgjegjëse, e cila ka ndërmarrë veprimet e para operative”, ka raportuar ky medium.

Brenda pak minutash, njësitë policore kanë rrethuar perimetrin, ndërsa të gjithë zyrtarët dhe stafi janë evakuuar nga ndërtesa.