Kërcënohet qeverisja 24-vjeçare e Bashar al-Assadit, forcat rebele mbërrijnë në periferi të Damaskut

Rebelët sirianë thuhet se kanë arritur në periferi të kryeqytetit Damask, ndërsa ofensiva e tyre kërcënon t’i japë fund sundimit 24-vjeçar të Bashar al Asadit.

Protestuesit rrëzuan një statujë të babait të ndjerë të presidentit të Sirisë në një shesh kryesor në një periferi disa kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Bëhet e ditur se grupi bëri thirrje për rrëzimin e Assadit dhe u drejtua drejt ndërtesave qeveritare në zonën e qytetit.

Pas pushtimit të Aleppos në veri, Hama në qendër, Deir el Zor në lindje, Suweida, Quneitra dhe Deraa në jug, rebelët thuhet se i janë afruar Damaskut, shkruan skynews.

Sipas burimeve të ushtrisë dhe rebelëve, kryengritësit hynë në Homs nga veriu dhe lindja të shtunën.

Ndërkohë, rebelët kanë shtrirë kontrollin e tyre pothuajse në të gjithë jugperëndimin, duke pretenduar se kanë marrë Sanamayn në rrugën kryesore nga Damasku në Jordani.

Siç raportohet, aleatët e Assadit, Irani, Rusia, dhe Turqia, do të takohen të shtunën për të diskutuar krizën.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se të tre vendet duan t’i jepet fund luftimeve, duke shtuar se është “e papranueshme” që “grupet terroriste” të marrin kontrollin e tokave siriane.

Ndryshe, lufta civile e Sirisë, e cila filloi në vitin 2011 si një kryengritje kundër sundimit të Assadit ka detyruar miliona të kërkojnë strehim në shtetet fqinje.