Kërkesa më e diskutueshme e Ukrainës: Ata po i kërkojnë Amerikës armë “të ndaluara” që do ta gjunjëzojnë Putinin

Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas i kanë bërë thirrje administratës Biden dhe anëtarëve të Kongresit në muajt e fundit që t’i japin bombat kasetë Ukrainës, një armë e ndaluar në më shumë se 100 vende, por që Rusia vazhdon ta përdorë me efekt shkatërrues brenda Ukrainës, raporton CNN.

Kërkesa e Ukrainës për municione thërrmuese, të cilën shumë zyrtarë amerikanë dhe ukrainas i thanë CNN, është një nga kërkesat më të diskutueshme që ukrainasit i kanë bërë SHBA-së që nga fillimi i luftës në shkurt.

Zyrtarët e lartë në administratën e Bidenit e kanë marrë këtë kërkesë prej muajsh dhe nuk e kanë refuzuar plotësisht.

Këto bomba janë të ndaluara për përdorim për shkak të efekteve të gjera në zona të mëdha dhe rrezikut afatgjatë që paraqesin në rast të mosshpërthimit të menjëhershëm. Bombat kasetë mund të hudhen nga ajri ose nga toka.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë deklaruar publikisht se ata planifikojnë t’u ofrojnë ukrainasve aq shumë mbështetje sa u nevojitet për t’u dhënë atyre avantazhin në tryezën e bisedimeve me Rusinë, nëse do të arrihet deri te kjo. Megjithatë, pajisjet ushtarake perëndimore nuk janë të pafundme, dhe ndërsa rezervat ushtarake po pakësohen, ukrainasit ia kanë bërë të qartë SHBA-ve se mund të përdorin municione thërrmuese që aktualisht i kanë në dispozicion.

Për Ukrainën, municionet thërrmuese mund të zgjidhin dy çështje kryesore: nevojën për më shumë municion për sistemet e artilerisë dhe raketave të ofruara nga SHBA dhe të tjerët, dhe një mënyrë për të reduktuar epërsinë numerike të Rusisë në artileri.

Administrata Biden nuk e ka përjashtuar atë opsion si mjetin e fundit, nëse furnizimet fillojnë të zvogëlohen në mënyrë të rrezikshme. Burimet e CNN thanë se propozimi nuk ka marrë ende vëmendje të konsiderueshme në një pjesë të madhe për shkak të kufizimeve ligjore të vendosura nga Kongresi mbi aftësinë e SHBA-së për të ofruar municione thërrmuese.

Si ukrainasit ashtu edhe rusët kanë përdorur bomba thërrmuese që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, por rusët – të cilët gjithashtu i kanë përdorur municionet për të bërë kërdi mbi civilët në Siri – i kanë përdorur ato më shpesh kundër objektivave civilë, duke përfshirë parqet, klinikat dhe një qendër kulturore, tregon një hetim nga Human Rights Watch.

Përdorimi i municioneve nga Rusia, duke përfshirë raketat thërrmuese Smerch 300 mm që mund të lëshojnë nënmunicione në një zonë sa një fushë futbolli, është dokumentuar në dhjetëra rajone të Ukrainës, duke përfshirë Kharkivin.

CNN kontaktoi në mënyrë specifike Zyrën e Presidentit të Ukrainës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, e cila tha se nuk komenton mbi raportet që lidhen me kërkesat për sisteme specifike të armëve ose municione.