Këshilltari i kryeministrit grek për sigurinë kombëtare, Tanos Dokos, në Forumin Delphi që po mbahet në Greqi, ka treguar se pse shteti i tij abstenoi për Kosovën në Këshill të Europës.
Ai tha se këtë e bënë për shkak të “qetësimit të tensioneve”, por se nuk do ta njohin Kosovën.
“Ne menduam se ishte mirë për zbatimin e shtetit të së drejtës dhe për të qetësuar tensionet midis dy palëve. Ende nuk e kemi njohur Kosovën dhe as nuk do ta bëjmë. Mundohemi të jemi sa më konstruktivë”, tha Dokos, shkruan mediumi kroat “Hina”.
Dokos shtoi se Serbia në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ka premtuar se nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe se Athina i është referuar kësaj gjatë votimit në Këshillin e Europës.
“Shpresoj që miqtë tanë serbë të kujtojnë se ne i kemi përkrahur në këtë me vite të tëra”, tha Dokos.
Këshilli i Europës i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës pasi 33 vende anëtare ishin pro, shtatë kundër dhe pesë abstenuan.
Në Serbi e patën problem ta pranojnë qëndrimin e Greqisë si një shtet mosnjohës për pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se është i zhgënjyer me qëndrimin e Greqisë dhe këtë ia ka përcjellë Qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare më 21 maj.