Një shtetas shqiptar që jeton prej 33 vitesh në Greqi, në zonën e përfshirë nga flakët ditën e djeshme Aleksandropoli, ka publikuar një video të pazakontë në llogarinë e tij në “X”.
Apostolos (Astrit) Tota më origjinë nga Kukësi, në videon e publikuar ka treguar një automjet të tipit trailer, në të cilin ka rrëmbyer 25 emigrantë të paligjshëm që jetojnë nëpër pyjet e Aleksandropolit, për të cilët thotë se janë përgjegjës për zjarret masive që kanë përfshirë vendin.
Në videon e publikuar ai bën komente racistë duke bërë thirrje për një program mbi emigrantët e paligjshëm që ndodhen në pyjet greke të ardhur nga Turqia që duan të shkojnë drejt Greqisë perëndimore.
“Kam ngarkuar 25 emigrantë në rimorkio, duan të na djegin këta, 25 bastardë këtu e i gjithë mali është plot. Janë të betuar të na djegin. Organizohuni, le të dalim e t’i mbledhim. Vetëm kaq po ju them, duan të na djegin”- thotë ai teksa zbulon fytyrat e emigrantëve të frikësuar.
Policia greke e ka arrestuar shqiptarin së bashku më dy grekë të tjerë vetëm pak më vonë./TCH