Një zyrtarë policor ka tentuar të dal me veturën e Policisë nga mes zona e sigurisë dhe protestuesve serbë, të cilët po vazhdojnë edhe sot të qëndrojnë para objektit të Komunës së Zveçanit, por ai është bllokuar nga protestuesit, të cilët nuk lejonin largimin e veturës.
Ai ka qëndruar për më shumë se 20 minuta në hapësirën në mes protestuesve dhe barrikadave të cilat i ka vendosur KFOR-it. E më pas ishin ushtarët e KFOR-it, ata që hoqën rrethojat, duke lejuar që vetura e Policisë të hyjë në zonën e sigurisë ku po qëndrojnë edhe automjetet e tjera të njësisë speciale dhe të KFOR-it.
Ndryshe, protestuesit serbë kanë sulmuar sot Policinë e Kosovës në Zveçan, duke gjuajtur me mjete të forta në drejtim të veturës policore e cila ishte duke patrulluar në atë zonë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për Telegrafin se si pasojë e sulmit, veturës i është thyer xhami.
“Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit.
Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”, deklaroi ai.
Ndryshe, serbët në veri janë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave. Disa grupe kriminale kanë vepruar dhunshëm edhe para disa ditësh të cilët tentuan të hyjnë në objektet komunale, ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, duke lënduar 30 prej tyre.