Ukraina ka gati planin e paqes. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Volodymyr Zelensky, duke shtuar se detajet dëshiron t’i ndajë me presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara pasi disa pika të propozimit varen nga Amerika
Shpresoj që të kem rastin që t’ia tregojmë Biden dhe kandidatëve potencialë për presidencën e SHBA-ve, Harris dhe Trump, dhe të kem përshtypjet e tyre. Ne dëshirojmë garanci”, konfirmon Zelenski.
Në një intervistë për mediat italiane, presidenti njofton se Ukraina është afër fundit të luftës. Në këtë drejtim po e ndihmojnë dhe armët e reja.
Siç raportohet nga CNN, ushtria ukrainase po teston një lloj të ri droni në pozicionet ruse në Ukrainë, me nofkën “dron dragon” ose “dron flakëhedhës”, i cili lëshon një shi me metal të shkrirë ndërsa kalon, i aftë për të vendosur menjëherë zjarr drejt shënjestrës së saj.
Në një video të publikuar nga CNN, droni shihet duke fluturuar në lartësi të ulët mbi një zonë të pyllëzuar dhe duke lëshuar zjarr. Rusia ka vijuar sulmet ajrore, me Kievin që njofton rrëzimin e 15 dronëve kamikazë nga 23 të lëshuar në total.
Bombardimet në rajonin Sumi shkaktuan dy viktima dhe disa të plagosur. Forcat e Kievit pretendojnë se vetëm në orët e fundit kanë vrarë 240 ushtarë rusë në frontin Pokrovsk në Donbas.
Ndërkohë, nga ana tjetër, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi tre dronë ukrainas mbi dy rajone të vendit, përkatësisht në Belgorod dhe Kursk.