Kina ka marrë një përgjigje ndaj SHBA-ve, duke vendosur tarifa prej 84% ndaj importeve amerikane.
Vendimi i palës kineze u mor pas tarifave shtesë të implementuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili i çoi tarifat për importet kineze në 104%.
Pas tarifave gjithëpërfshirëse prej 10 për qind të vendosura gjatë fundjavës, normat e importeve në Shtetet e Bashkuara nga eksportuesit, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Japoninë, u rritën më tej të mërkurën.
Kina – rivali kryesor ekonomik i Washington-it, por edhe një partner i madh tregtar – është më e goditura, me tarifat e vendosura mbi produktet e saj që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë duke arritur tani një shifër marramendëse prej 104 për qind.
Në përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pekin-it, Lin Jian, këmbënguli se “e drejta legjitime e popullit kinez për zhvillim është e patjetërsueshme”.
“Sovraniteti, siguria dhe interesat e zhvillimit të Kinës janë të pacenueshme”, tha ai. “Ne do të vazhdojmë të marrim masa të forta dhe të efektshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime”.
Gjithashtu të mërkurën, Ministria e Tregtisë e Pekinit tha se vendi kishte “vullnet të fortë” për të zhvilluar një luftë tregtare me Washington-in, tha agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
“Me vullnet të fortë dhe mjete të bollshme, Kina do të marrë me vendosmëri kundërmasa dhe do të luftojë deri në fund nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në përshkallëzimin e mëtejshëm të masave kufizuese ekonomike dhe tregtare”, citoi Xinhua të thoshte ministria.