Kjo pajisje e vogël po bën mrekulli në luftën kundër zjarreve

Në luftën globale shumëmiliardëshe kundër zjarreve, zbulimi i hershëm është kritik.

Satelitët, dronët, kamerat termike dhe kullat e vrojtimit me personel janë vetëm disa nga mjetet që përdoren aktualisht për të njoftuar autoritetet dhe reaguesit e parë për kërcënimet e afërta.

Megjithatë, në zonat me burime të pamjaftueshme, këto mbrojtje mund të jenë tepër të kushtueshme.

Kjo është arsyeja pse një grup të diplomuarish në dizajn ka zhvilluar një zgjidhje më të vogël, më të thjeshtë dhe, siç thonë ata, më të lirë.

Një detektor zjarri me madhësinë e një boçe pishe që mund t’u japë komuniteteve të cenueshme një avantazh të paçmuar në garën për t’i shpëtuar ose për të përmbajtur flakët e mëdha.

Të prodhuar kryesisht nga përbërësit e dyllit dhe qymyrit, sensorët e Pyri-t janë projektuar për t’u bërë njësh me mjedisin.

Pajisja mund të vendoset në zona të prirura ndaj zjarreve dhe të lihet për vite pa mirëmbajtje, sipas krijuesve të saj.

Kur ndodh një zjarr, nxehtësia shkrin një shkëndijë të brendshme, duke prodhuar një sinjal me frekuencë të ulët që ngre alarmin.

“Mund t’i ndihmojë njerëzit të evakuohen më shpejt dhe mund të ndalojë rritjen e zjarreve përpara se ato të bëhen të pakontrollueshme – përpara se të jenë vërtet shkatërruese”, tha bashkëthemeluesja e Pyri-t, Karina Gunadi, për CNN. “Nëse mund të kapësh një zjarr të vogël, është shumë më e lehtë ta shuash”.

Emri i kompanisë së tyre vjen nga fjala shkencore “pyriscence”, e cila përshkruan mënyrat se si natyra përshtatet me zjarret në pyje.

Pamja e Pyri-t si boçë pishe është gjithashtu funksionale: Forma e lehtë e sensorëve dhe struktura me brinjë ndihmon në mbrojtjen e tyre nga ndikimi, veçanërisht nëse hidhen nga ajri kur mbulojnë zona të mëdha ose të vështira për t’u arritur.

Por projektuesit donin gjithashtu që ato t’i shpëtonin vëmendjes së kalimtarëve, qofshin njerëz apo kafshë.

Zjarret ekstreme po bëhen më të shpeshta në nivel global, me sezonet e zjarreve tani më të gjata, më të nxehta dhe më të thata se më parë.

Ndryshimi i klimës është një kontribues i madh, pasi thatësira dhe rritja e temperaturave globale i bëjnë zjarret më të mëdha, më të shpejta dhe më të vështira për t’u ndaluar.

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), zjarret ishin përgjegjëse për rreth 6 mijë e 687 megatonë ndotje nga dyoksidi i karbonit në vitin 2023 – shtatë herë më shumë sesa u emetua nga aviacioni global atë vit.