Koalicioni për Familje pret qytetarët për një “kafe” në stilin e “traditës arabe” në sheshin “Skëndërbeu”

Koalicioni për Familjen në kuadër të fushatës elektorale, ka organizuar përformancën artistike në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë, me titullin “Koalicioni për Familje pjek kafe për mysafirë”.

Kjo ngjarje organizohet si pjesë e kampanjës “Shqiptari në Parlament” dhe ka për qëllim t’i ofrojë qytetarëve mundësinë të takohen dhe të bisedojnë me kandidatët e Koalicionit për Familjen.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se kandidati për deputet nga ky koalicion, Ferid Agani, ka thënë se kjo paraqitje e kandidatit Sokol Plakolli, është një rrugë me vlera kulturore, për të zënë karrigen në Kuvend të Kosovës.

“E ka zgjedhur një rrugë me vlera kulturore, për ta zënë karrigen në Kuvend të Kosovës… I lus të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që modelin e Sokolit si shqiptar që e ka zgjedhur ta personifikojë këtë korpus të vlerave që dëshiron të promovojë, ta votojë dhe ta sjellim aty ku e ka vendin”, tha Agani.

Ndërsa, kandidati tjetër, i cili ishte veshur me rroba tradicionale e duke pritur “mysafirët”, Sokol Plakolli u shpreh se ai do të mbajë rrobën kombëtare në parlamentin e Kosovës për 365 ditë.

Sipas tij, shpeshherë ka dukuri të dëmshme në parlament, të cilat po trajtohen jo në mënyrë adekuate.

“Unë kam marrë një guxim intelektual personal që rrobën kombëtare ta fus në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe për 365 ditë këtë rrobë ta prezantoj atje. Jo me fol shumë si në fushatë, me fol pak, por qytetarët edhe vetë deputetët me pa qoftë edhe figurën e Adem Jasharit, sepse të gjithë këta deputet dhe ky qytetari i cili ecë sheshit deri sa vjen te parlamenti shkel mbi gjakun e dëshmorëve. Shpeshherë shoh dukuri të dëmshme brenda në parlament, zënka shumë të mëdha, problematika të cilat trajtohen jo në mënyrë adekuate siç jemi mësuar në odën e shqiptarit”, u shpreh Plakolli.

Kjo përformancë artistike do të mbahet deri më 7 shkurt, nga ora 12:00 deri në 13:00, në sheshin “Skënderbeu”.