Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në bashkëpunim me bashkinë Vlorë organizoi mbrëmjen poetike kushtuar poetit, diplomatit dhe kryebashkiakut të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, Ali Asllani.
Në skenën e teatrit “Petro Marko” u ngjitën aktorët Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Rozeta Ferri dhe Artan Islami, duke performuar vargjet lirike të poetit vlonjat. Ata u shoqëruan nga muzika e Aulon Naçit në piano dhe kuartetit të harqeve, i përbërë nga Dejon Bendaj, Vilson Guri, Albana Kola, Dorina Laro dhe në fyell e cylë dyjare Vendim Kapaj, me pjesëmarrjen e sopranos Suada Gjergji. Interpretimet janë përcjellë mes duartrokitje nga të pranishmit.
Drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Jetona Koçibelli falenderoi artistët për bashkëpunimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje, ndërsa kryebashkiaku Ermal Dredha e vlerësoi aktivitetin si një nderim të merituar për Ali Asllanin.
Aktiviteti u ideua nga Rozeta Ferri, nën kujdesin artistik të regjisores Driada Dervishi, dhe u frymëzua nga vepra e poetit Asllani: “Ah ky mall, ky mall i çmendur”.