Dosier, “Minerva” 1932 Vangjo Nirvana: “Ndizni të gjithë pishtarët.. marshi nisi natën dhe mos kini frikë nga tymi. Agimi është afër. Ngjyra e tij e kuqe është buzëqeshje e purpurt që kërcen nga manto’ e diellit. Vërtetë agimi është afër, por edhe sikur të duan nuk mund ta shohin dot ata që perëndimi i ka mbërthyer në flatrat e tij të vdekjes!”
“Për një elitë shqiptare”, Është një ndër artikujt më të spikatur të Vangjel Koçës, i cili mbante pseudonimin Vangjo Nirvana. I botuar në shtator 1932 në gazetën e rëndësishme të kohës, “Minerva”, Vangjo Nirvana analizon domosdoshmërinë e krijimit të elitës intelektuale shqiptare, 20 vite pas shpalljes së pavarësisë. Faik Konica, Lumo Skëndo, (pseudonim i Mit’hatFrashërit), si dhe Nebil Çika vijnë në analizën e Vangjel Koçësme mendimet më të spikatura të tyre për të njëjtën temë, atë të krijimit të një elite shqiptare që do ta udhëhiqte shoqërinë drejt zhvillimit. Është një ndër artikujt më të spikatur të kohës më të lavdishme të medias e publicistikës shqiptare, siç është ajo e viteve ’30. Ka kaluar gati një shekull por duket sikur ky artikull është shkruar për Shqipërinë e kësaj kohe.
Për një elitë shqiptare
Nga Vangjo Nirvana, “Vangjel Koça, gazeta “Minerva”, shtator 1932
Kur Shqipëria nga “shprehje gjeografike” e politikanëve dhe nga “ëndërr e bukur” e patriotëve shqiptarë, u bë realitet politik prej idealizmit të patriotëve dhe të realitetit politik të fuqive të mëdha, patriotët shqiptarë gjetën përpara një problem të madh: Shqipëria u bë, por duhen bërë edhe shqiptarët!
Këtë problem e kanë pasur të gjitha ato kombe që nëpër peripecitë historike humbën ndërgjegjën e tyre. Këtë problem e shtroi më mirë nga çdo njeri tjetër, një majë e kulturës shqiptare Faik Konica, në numrin e parë me të cilin nisi jetën e ndritshme “Hylli i Dritës”, revista shkodrane që e nderon më tepër kulturën shqiptare.
“Shqypnia e re për në kjoftë se lidhet n’vedi forcohet edhe vetë, ka me u ba me trutë (mënçurinë) e mendimtarëve. Kur të mblidhen gjithë forcat intelektuale të këtij kombi edhe ti vihen punës, atëherë asht uzdajë për Shqypninë. Se vetëm njerëz të kulturës e të mendjes kanë për të qenë të zot me pa se problemet më të mëdha të Shqipërisë së re, janë probleme morale. Dhe më i pari i të gjithë mundet me u shkurtue në këto fjalë: asht nevojë me i dhanë këtij kombi një shpirt. Ky problem i madh i Shqypnisë mundet me u marrë vesh e me u shoshitë vetëm prej atyne që e kanë përnjimend një tru të zhvilluar e të vendosur në një disiplinë. Kur them se kombi shqiptar nuk ka ende një shpirt, nuk due me thanë se i mungon krejt jeta. Kombi jonë i qofshim falë Zotit po lëviz në jetë dhe në fuqi. Por jeta e tij është njëfarë gjallese e verbër e cila nuk e njeh veten. Kombi shqiptar asht por nuk din me thanë “jam”. Forca e tij inkoherente e poshtnuar nuk ka as frerë as qëllim.
E vërtetë që gjithë kombet kanë kaluar nga kjo shkallë, të gjithë para se me arrit në vetëdije të plotë të njohjes së vet, kanë jetuar një jetë të errët. Por në Evropë, nga një komb pas tjetrit u zgjuan me kohë. Vetëm kombi shqiptar ka mbetur mbrapa”.
Problemi i madh që shtroi Faik Konica duke gjurmuar horizontet e thella të filozofisë së historisë me një kthejellësi të admirueshme, qëndron akoma në shesh dhe pret të zgjidhet. Në një konferencë që mbajta këtu e tre muaj përpara në sallën e shkollës profesionale të Gjirokastrës mbi “Shqipërinë e re”, tema më solli edhe në këtë problem të madh. Si mjet për zgjidhjen e tij kujtova formimin e një elite shqiptare. Problemi i kësaj elite është rrahur edhe më parë në shtypin tonë. Në një artikull të botuar në dy numra me radhë të gazetës “Demokratia”, me titull “Nevoja e një vëllazërie letrare”, LumoSkëndo shkruan:
Kjo shoqëri, kjo rreshtë njerëzish do të jetë edhe nisja e një aristokracie të vërtetë.
E dimë të gjithë sa i pambajtur, sa kërkimtar i famës dhe nderimeve është shqiptari. Gjithë kujdesi dhe këndimi i një shqiptari është si të bëhet më i madh, më i shquar, më i lartë se shoku, se vëllai e se fqinji. Ky karakter ka të metat e tij, padyshim do të ketë edhe anët e mira. Të ligat e saj janë se deri më sot ky pasion na ka shtyrë të armiqësohemi me shokët tanë që të mos bashkohemi dhe mos shkojmë mirë me vëllanë, që të zihemi e të luftojmë me fqinjin. Deri më sot cilido prej nesh e ka kërkuar nderin dhe famën te kamja ose të fuqia dhe madhëria brutale. Deri më sot çdo shqiptar ka meritë si të ketë një shkallë më të lartë në qeveri, ose si t’i nxjerrë sy të bëjë që shkak të këmba shokut që ka më shumë të holla e me tëpër nder se ai. Nuk kemi njohur tjetër nder dhe madhëri, s’kemi dëshiruar tjetër famë. Dhe kështu ky pasion ynë shumë herë, ose më mirë gjithnjë, ka qenë i dëmshëm për mëmëdhenë, ka qenë antipatriotik, frytin e kemi parë sivjet, na e rrëfen çdo faqe e historisë.
Është një nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re për ambicien dhe vanitetin e shqiptarit. Është koha më duket të themelohet një aristokraci e vërtetë. Duhet një aristokraci e vlerës sipas shërbimeve të çdo njeriu, sipas mendjes dhe punës së tij, që të mos e kërkojë më njeriu nderin në të verbër, ose me thikë e farmak në dorë, por ta kërkojë nga puna, nga djersa, nga talenti, nga mendja dhe vullneti i tij, një nder dhe madhështi mbi themele të shëndoshë në dobi të njerëzimit. Të mësohen shqiptarët të kërkojnë famën nga puna….
E ndjek pas Nebil Çika me një artikull të bukur me titull: Aristokraci intelektuale, në gazetën Telegraf. Pasi bën një definicion të goditur mbi qytetërimin dhe përshkruan gjendjen shqiptare në pikëpamje të tij,
Nebil Çika thekson:
Po si të shpëtojmë nga kjo gjendje? Kjo është çështja kryesore përpara së cilës gjendemi sot. A nuk do të ishte absurditet që zgjidhjen e këtij problemi fundamental ta presim nga shteti e t’ia lëmë këtij këtë përpjekje shpëtimtare?
… Kryesorja është ajo që quhet burokracizmi në kulturë. Nuk kemi as një qëndër kulturore të pavarur nga shteti. Asnjë lëvizje kulturore nuk mund të bëhet me anë librash pasi e vetmja shtëpi botuese në Shqipëri është Ministria e Arsimit. Duke qenë se shumica e intelektualëve profesionistë janë në shërbim të qeverisë, jemi të shtrënguar të shohim se kultura është drejtpërdrejt me pagesë të shtetit dhe është e shtrënguar ti shërbejë. Kjo është situata ku gjenden intelektualët tanë…
Në qofte se shteti do të dëshirojë të favorizojë krijimin e një aristokracie intelektuale me influencë dhe t’u krijojë fuqive morale mundësinë që të shfaqen lirisht, atëherë problemi i qytetërimit tonë do të jetë i zgjidhur. Problemi kështu duket i thjeshtuar. Liria dhe pavarësia intelektuale është kushti i lartë i ekuilibrit midis fuqive të ndryshme morale që formojnë qytetërimin. Vetëm nën këtë kusht është i mundur formimi i një elite shqiptare që do të bashkëpunojë me shtetin dhe do ta ndihmojë këtë për krijimin e një Shqipërie të qytetëruar.
Më në fund me radhë kronologjike duhet kujtuar edhe Neoshqiptarizmi kulturale e Gjirokastrës e cila predikon nevojën e domosdoshme të formimit të kësaj elite dhe në një kohë e sipër përpiqet t’i tregojë një udhë të caktuar.
Deshta të bëj një shikim retrospektiv historik mbi problemin e elitës në vendin tonë që të hy në studimin e elitës në histori e sociologji dhe të përfundoj me faktorët që do të ndihmojnë për formimin e saj në Shqipëri.
Është zëri urdhëronjës i historisë që udhëheq fatin e kombit dhe nuk përfill aspak britmat spazmatike të individëve që duken e zhduken në skenën e saj. Ecja e historisë është fatale dhe askush nuk mund t’i presë rrugën. Edhe në qofte se zëri i saj duket sikur humbet në shamatën shurdhëronjëse dhe të trishtuar të një epoke mëkatare që është në të perënduar e sipër, po ky zë kumbon fort në mendjet dhe shpirtrat e brezave të rinj që do të mpleksin me entuziazmin e tyre të kthjellët periodën madhështore të historisë së re shqiptare.
“Ndizni të gjithë pishtarët, bërtet Alfredo Oriani, eremiti italian i Cardello-s të cilin fshizma e nderon si një nga parakusorët e vet – sepse marshi nisi natën dhe mos kini frikë nga tymi – agimi është afër. Ngjyra e tij e kuqe është buzëqeshje e purpurt që kërcen nga manto e diellit.
Vërtetë agimi është afër, por edhe sikur të duan nuk mund ta shohin dot ata që perëndimi i ka mbërthyer në flatrat e tij të vdekjes!”