Përveç serbëve të cilët nga Veriu i Kosovës u nisën javë më parë në këmbë drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd, një numër i konsiderueshëm i serbëve, këtë të premte kanë udhëtuar për në Beograd.
Trasnportimi i tyre drejt kryeqytetit serb është bërë në bashkëpunim me kompanitë kosovare të autobusëve, siç janë “Barileva Turist”, “Fehmi Company”, “Kaltrina Travel” e “Shetit.com”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe një ditë më parë kërkoi ndjesë qytetarëve serbë për ditën e nesërme, e cila, sipas tij, “do të jetë një kolaps i plotë trafiku në të gjitha pjesët e qytetit të Beogradit”.
Ky kolaps është shkaktuar edhe nga shumë autobusë të kompanive kosovare të cilët janë kontraktuar nga serbët e Veriut për të transportuar këta të fundit për në Beograd.
Ndryshe Lëvizja kombëtare e serbëve të Kosovës “Atdheu” – kundërshtare politike e Listës Serbe – të hënën u ka bërë thirrje serbëve në Veri që të mos shkojnë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe (SNS) dhe “të mos bien në propagandën e Presidentit të Serbisë,Aleksandër Vuçiç dhe të SNS-së”.
Në njoftim, ashtu siç transmeton gazeta opozitare serbe “Danas“, thuhet se “problemi kryesor” për organizatorët është mungesa e autobusëve dhe se, siç pretendojnë ata, Qeveria e Serbisë “po negocion me qeverinë e Albin Kurtit” që kompanitë shqiptare të transportit t’i çojnë serbët në tubimin e së premtes.
Po ashtu, nga kjo inciativë kanë deklaruar se punonjësit “në institucionet e mbetura të Serbisë në Kosovë” po kërcënohen me humbje të vendeve të punës nëse nuk shkojnë në tubim. Ata shtuan se spitali në Mitrovicën e Veriut duhej t’i dërgonte rreth 500 njerëz në Beograd.
Në anën tjetër mediat serbe, kryesisht ato opozitare po raportojnë se tashmë Beogradi është vërshuar me autobusë dhe serbë të cilët kanë ardhur në Beograd për të mbështetur Vuçiç’in.
Ndryshe presidenti serb, të enjten ka takuar disa serbë, të cilët ishin nisur në këmbë nga Veriu i Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd.
Në pritjen e organizuar në Presidencën e Serbisë, ai iu tha serbëve se “falë jush ne ende po luftojmë për Kosovën”, ndërsa shtoi se “këto nuk janë kohë të lehta për vendin tonë”.
Vuçiç u shpreh krenar për mundësinë të presë serbët nga Kosova të paktën, siç tha ai, për një kohë të shkurtër dhe t’i falënderojë ata për mbështetjen që i kanë dhënë shtetit të Serbisë.
“Jam krenar që ju ruani vatrat tona, kujdeseni për vendin dhe që me gjithë presionet e doni atë”, deklaroi Vuçiç, i cili më pas u ankua në bashkësinë ndërkombëtare.
Tubimi i cili do të mbahet të premten organizuar nga partia të cilën e udhëheqë vetë Vuçiç’i është si reaksion e protestave masive të organizuara kundër dy vrasjeve masive të cilat ndodhën njëra pas tjetrës javët e kaluar ku humbën jetën 17 persona.
Protestuesit e indinjuar ndaj institucioneve shtetërore në serbi protestuan jashtë ndërtesës së Parlamentit serb ku lexuan kërkesat e tyre dhe më pas marshuan në heshtje nëpër qytet.
Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gasiç dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin.