Komuna e Prishtinës thotë se ka nismuar park përkujtimor e bibliotekë presidenciale për Rugovën

Komuna e Prishtinës është zotuar për një projekt të ri sa i përket trashëgimisë së presidentit Ibrahim Rugova. Në 19-të vjetorin e vdekjes së tij, nënkryetari i Komunës së Prishtinës,  Alban Zogaj, ka bërë të ditur se së bashku me drejtorin e Planifikimit, Arbër Sadiki “me kënaqësi dhe nder të veçantë” kanë nënshkruar “deklaratën e fillimit të konkursit arkitektonik ndërkombëtar për dizajnimin e ‘Parkut Përkujtimor Dr. Ibrahim Rugova dhe Bibliotekës Presidenciale’”.

Sipas njoftimit, ky projekt do të jetë një pikë referimi për të gjithë kombin, një hapësirë që do të ruajë kujtimin e përhershëm për vizionarin dhe liderin historik të Kosovës dhe njëkohësisht do të shërbejë si burim dijeje për brezat që vijnë.

“Ftojmë arkitektët më të mirë nga e gjithë bota të sjellin vizionet e tyre dhe të kontribuojnë në realizimin e një projekti që do të mishërojë vlerat tona kombëtare, historinë dhe trashëgiminë intelektuale. Ky është vetëm fillimi i një procesi që do ta transformojë këtë hapësirë në simbol të përhershëm të unitetit, kulturës dhe arsimit”, shkruhet në njoftim. 

Në anën tjetër prej vitit 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka themeluar bibliotekën presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” në kuadër të institucionit që ajo udhëheq. Madje në qershorin e atij viti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kishin nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ky projekt, sipas presidentes Osmani, ishte i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale. 

“Siç e përmenda, kjo bazohet në modelin amerikan dhe rrjedhimisht kemi marrë edhe përkrahje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili do të dërgojë një ekspert për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë duke u bazuar në këtë model. Në të njëjtën kohë, sipas memorandumit të bashkëpunimit që nënshkruam sot me ministrin Çeku, edhe Biblioteka Kombëtare, edhe Muzeu, por edhe Arkivat e Kosovës do të ndihmojnë që të punojmë së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën”, kishte thënë ajo. 

Sipas presidentes, Biblioteka Kombëtare do ta ofronte të gjithë bibliografinë e presidentit Rugova, siç janë librat, artikujt e tij, por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Më tej kishte bërë të ditur se edhe familja Rugova kishte premtuar dhurimin e arkivit personal. 

“Lajmi i rëndësishëm është që po ashtu familja e presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin e presidentit t’ia vërë në dispozicion Bibliotekës Presidenciale”, kishte thënë presidentja Osmani.