“Komunistët e Titos që zbritën nga malet, të palarë e të veshur keq, në godinën e Bankës Italiane rrisnin pula, në vaskën e banjos, mbillnin majdanoz, s’e njihnin tualetin…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

– RRËFIME TRONDITËSE NË LIBRIN “MAGAZINA 18”, I SIMONE CRISTICCHI DHE JAN BERNAS –

Gjithmonë regjimet me ideologjizime ekstreme, ua vështirësojnë tmerrësisht jetën qytetarëve të tyre. Por jo më të pakta janë edhe përjetimet e atyre, që fati historik i hodhi në mes të dy çakejve; regjimit fashist dhe atij komunist, sikundër përshkruhet në librin “Magazina 18”, i cili na jep dëshmi tronditëse të italianëve të mërguar nga Istria, Fiume dhe Dalmazia. Nga mendja brilante e filozofit Friedrich Nietzsche, kanë dalë fjalët se; “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Ky është edhe synimi i autorit Simone Cristicchi, fituesit të festivalit të Sanremos, me këngën; “Do të të dhuroj një trëndafil”, me gazetarin Jan Bernas, teksa rreken të pasqyrojnë nga të mbijetuarit, në formë rrëfimesh dhe ditari jo kronologjik, atë që ngjau me atë popullsi që edhe pse në trojet e veta, mbeti si mollë sherri mes Italisë, qysh nga Musolini e, Jugosllavisë së Titos.

E gjithë tragjedia e tyre luhet nën regjinë e Fuqive të Mëdha dhe më pas, nën indiferencën e tyre për pasojat e dhimbshme që vendimet e marra sollën. Pretendimet e palëve u zgjidhën me favorizimin e sllavëve që u quajtën fitues, në kurriz të atyre që edhe pse ishin njerëz të thjeshtë, u damkosën si humbës, duke harruar se fituesit ishin edhe më të egër, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshte Ronald Regan, se; “Vetëm në dy vende mund të funksionojë komunizmi, në parajsë, ku s`u nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë”.

Dhe për ta parë këtë ferr, mjafton të futesh brenda “Magazinës 18”, numër i kobshëm gjaku ky, sipas letrave napolitane. Se kur futesh aty, nuk ka sesi të të mos ngjallin aq e aq kujtime të hidhura ato rraqe të vjetra, hedhur rrëmujshëm prej një kohe të gjatë dhe të brejtura nga minjtë e nga molat, por që edhe ashtu si janë, flasin me gjuhën e asaj që ka ndodhur.

Ato familje dhe ata njerëz, shtëpitë e shumë prej të cilëve u ndanë më dysh; pasi gjysma i takonte Italisë e tjetra Jugosllavisë, mbetën edhe vetë të dyzuar, pasi nuk dinin nga t`ja mbanin, sidomos në pështjellimin që pasoi pas prishjes së komunistëve titistë me Stalinin, ku dhe vetë populli i këtij vendi, u nda më dysh.

Dhe nga ai vend ku shpata e hakmarrjes dhe e luftës së klasave binte mbi popullin e vet, nuk kishe sesi të prisje sjellje të drejtë, fisnike e humane ndaj italianëve që kishin mbetur. Goli Otoku me tmerret e tij që nuk kursente as qytetarët e Federatës të Jugosllavisë, as që i llogariste “bashkëpunëtorët” e fashizmit, sikurse quheshin qytetarët e pafajshëm italianë, gjithsesi të çoroditur politikisht ose dhe fare të pa interesuar për të.

Në atë kohë histerie dhe të gjoja entuziazmit revolucionar të klasës së re proletare, që sipas dëshmisë së vajzës së re, Maries, “Ishin njerëz që vinin nga pylli, të palarë e të veshur keq dhe që në godinën e Bankës Italiane, rrisnin pula e, në vaskën e banjos kultivonin majdanoz. Nuk dinin se ç`ishte tualeti, vaska e banjos, apo bideja”, nuk ishte për t’u çuditur përse, nisur nga instinkti i kriminelit, jo vetëm që i diskriminonin apo i dëbonin, por edhe i hidhnin burrat dhe gratë, nëpër humnera.

Të burgosurit pa asnjë arsye i shkatërronin jo vetëm fizikisht, duke i shndërruar në skelete Mat`hauzeni, por edhe moralisht, aq sa i detyronin të mos deklaronin të vdekurit, për një lugë supe lëngëtyrë, apo të keqtrajtonin, të kallëzonin e deri të linçonin mes dy rreshtash, njëri – tjetrin. Ende me tmerr zonja Nella Osso, kujton: “Ishim të trembur. Herë pas here partizanët e vjetër, na thoshin: ‘Ka akoma vende të lira, në honet karstike”.

Në libër janë të shumta rastet e mizorive sllave, që për ne shqiptarët nuk janë të panjohura historikisht, por këtu nuk lihet pa kujtuar se po me poshtërsi, u sollën edhe këmishëzinjtë, që në zbatim të orientimit të Duçes se; “do të ndjekim politikën e dorës së fortë, pa toleruar askënd”, i vunë flakën Hotel “Ballkanit” në Trieste, të cilin ata e kishin si zemrën e qendrës kulturore, çka solli thyerjen e parë mes dy vendeve, atë të Venezia – Giulia – s.

Një dëshmitare e atyre ngjarjeve, pohon se sllavët, pasi i arrestuan dhe hipën në kamion shtatë pjesëtarë të familjes, ku nata i gëlltiti, e lidhën edhe atë me tel me gjemba dhe pasi e shëtitën, duke e tërhequr zvarrë mes thirrjeve; “vdekje – vdekje”! e nxorën edhe atë në gjyq, të cilin ia bënin të ashtuquajturit gjyqtarë të popullit, ish-bujq të babait të saj. Për ta, ajo ishte dyfish “armike”; edhe si italiane edhe si e pasur. E dënuan me vdekje, por për habi ia kthyen dënimin me burgim në birucat mesjetare.

Në këtë libër arrihet në konkluzionin se; “Jugosllavia, në gadishullin e Istrias (që për ironi në gjuhë etruske, do të thotë valltar), nxori në pah nacionalizmin më të egër e më vrastar, që mund të mendohej ndonjëherë”. Dhe pastaj vijon çudia; edhe kur kthehen disa prej tyre në Itali, sindikatat, me influencë komuniste, i presin me thirrjet; “Fashistë, zhdukuni që këtu”! “Jeni të gjithë kriminelë”! Dhe ky qëndrim i ndoqi gjatë, si në rrugë, ashtu edhe në shkollë, apo në ndonjë punë të rëndomtë që mund t`u jepej. Por kishte dhe shumë nga ata që meqenëse vinin nga Jugosllavia, i quanin komunistë, kurse në Jugosllavi, fashistë?!

Dhe kur të ikurit nga tokat dalmate, fiumane e istriane, në vitet 1943 – 1954, shkonin e trokisnin në shtëpitë e tyre, i prisnin me përbuzje dhe i përzinin duke u thënë; “Po ju ç’doni këtu”? Nga mospasja, nënat ktheheshin në lypse, pasi edhe nëpër ato kampet mjerane, ku i kishin grumbulluar, drejtori i shiste ushqimet e ardhura për refugjatët, pa harruar se edhe disa gra që kalonin aty pari, i trembnin fëmijët: “Do të të hanë refugjatët”. Dhe kujt ja bënin këtë?! Është e dhimbshme ta thuash; asaj gruas që kishte marrë me vete edhe qepujka, për të mbjellë zambakë në vendin e saj.

Nuk po zgjatem më tej, veç po citoj mesazhin e këtij libri “Pranimi botërisht i së vërtetës, edhe pse e pavolitshme, është e vetmja mënyrë për të ndarë idealet e mira, nga veprimet e dënueshme. Për të përkujtuar një ngjarje, fillimisht duhet njohur e vërteta. Dhe kjo e fundit njihet, duke dëgjuar edhe me zemër, jo vetëm me veshë”. Se masakrat nuk kanë ngjyra politike, thjesht janë të lyera me gjak. Dhe ky mesazh vlen për të gjithë refugjatët e botës, gjë për të cilën në poezitë shoqëruese të librit, përsëritet si refren: “Është Urdhëresa e 11 – të / “Mos harro”. Krahasimet me ne, bëjini vetë!

/ Nga SHPENDI TOPOLLAJ – Memorie.al