Shkruan: Prof. dr. Eqrem ZENELAJ
I. Kongresi i Manastirit ishte Kongresi i unifikimit të një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe.
Ai ka tubuar dijetarët dhe atdhetarët shqiptarë nga data 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit.
Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa kryetar i Komisionit Atë Gjergj Fishta. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë.
Nënkryetar i Kongresit u zgjodh Grigor Cilka nga Korça, si dhe 11 anëtarë të tjerë.
Në atë kongres merrnin pjesë shqiptarë të katër religjioneve: myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe protestantë.
Përgatitja dhe mbajtja e Kongresit të Manastirit më 1908 ishte subvencionuar për disa vite nga Austro-Hungaria, sidomos përmes klerikëve fetarë, për të qenë unikë dhe të bashkuar për një alfabet të përbashkët shqiptar nga ana e Konsullit të Përgjithshëm të Austro-Hungarisë në Shkodër, August von Kral.
Ja si shkruhet në dokumentet arkivore të Vjenës për Kongresin e Alfabetit të Manastirit më 1908:
II. Rivaliteti dhe konkurrenca për Shqipërinë dhe Adriatikun ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë ishte në rritje që nga koha e Oto von Bismarkut dhe kryeministrit të Italisë, Françesko Krispi (arbëresh).
Austria kishte një kultprotektorat mbi Shqipërinë që nga viti 1699, përmes të cilit shqiptarët kishin të drejtë të ushtronin fenë e tyre, të ndërtonin e meremetonin kulte fetare, si dhe përmes propagandës së Romës financoheshin kleri katolik, shtypi dhe botimet fetare në gjuhën shqipe.
Me bashkimin e Italisë dhe forcimin e saj, investimi i Austrisë për një kohë të gjatë te kleri filloi t’i kthehej si bumerang, sepse kleri katolik, i cili për një kohë të gjatë subvencionohej nga Austria, një pjesë e tij tani mbështeste politikën dhe interesat e Italisë. Ndër klerikët kryesorë dhe paria kryesore që një kohë ishin kthyer kah Italia ishte monsinjor Prenkë Doçi, ndërsa nga paria shqiptare e Shqipërisë veriore ishte prijësi i Mirditës, Prenkë Pasha.
Po sipas burimeve arkivore dhe dokumenteve të shumta, bëhet me dije se edhe Alfabeti i Bashkimit subvencionohej dhe ishte nën ndikimin e propagandës dhe interesave të Italisë.
Përpjekjet e Austro-Hungarisë për t’i përvetësuar klerin dhe parinë shqiptare, të cilët punonin dhe subvencionoheshin nga Italia, ajo, nëpërmjet konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme për kultprotektoratin në Shkodër, August von Kral, arriti që krerët shqiptarë t’i bashkojë dhe t’i bindë të takohen në një kongres të përbashkët, duke i lënë interesat vetjake mënjanë, për ta formuar një alfabet unik të gjuhës.
Në një njoftim të datës 30 qershor të vitit 1905, i cili vjen nga Shkodra (Konsullata e Përgjithshme) për Vjenën, ndër të tjera, shkruhet:
“Para një muaji është bërë e njohur që italianët shkojnë në atë që gjuha shqipe të jetë e obliguar për objektet shkollore italiane në të cilat vijojnë shqiptarët. Madje, konsullata italiane i ka shpërndarë disa ekzemplarë të shtypura nga një shoqatë shqiptare në Itali.”
Pas shumë përpjekjeve, unë ia arrita (shkruan August von Kral, nënvizimi im, E. Z.) ta siguroj një ‘Abetare’ të tillë të shtypur në Itali. Po ashtu, në shkolla shqipe kërkohet të futet Alfabeti i Shoqërisë Bashkimi.
“Austro-Hungarisë në Shkodër, August von Kral, në një njoftim tjetër për Vjenën shkruan:”
Përpjekjet shumëvjeçare janë kurorëzuar me një rezultat konkret, pasi tanimë është gjetur një kompromis mes shqiptarëve. Ata tashmë janë bërë unikë, në krye me përfaqësuesit e tri alfabeteve shqiptare:
- Alfabeti Toskë,
- Alfabeti i Mjedës,
- dhe Alfabeti i Jezuitëve (që i referohet Alfabetit të Shoqërisë Bashkimi të Shkodrës, përfaqësuar dhe përdorur nga Atë Gjergj Fishta).
Në fakt, atdhetarët e shumtë shqiptarë ishin ata që kërkonin përparimin e gjuhës amtare, aq sa thurnin vjersha për të dhe krenoheshin me të. Njëri ndër këta atdhetarë ishte Hilë Mosi, i cili kishte kontakte miqësore me Austrinë, sidomos me përfaqësuesin e saj në Shkodër, konsullin gjeneral August von Kral. Ky i fundit, mik i madh i shqiptarëve, bëri shumë për ta dhe për Shqipërinë.
Në një shkresë konfidenciale, August von Kral i bën me dije Vjenës se edhe Prenkë Doçi është izoluar dhe, për rrjedhojë, tani ka pranuar të pranojë një alfabet që do të vendosej nga një pajtim i mazhorancës shqiptare.
Shih më poshtë faturat e subvencionimeve për Atë Gjergj Fishtën nga Austro-Hungaria.
August von Kral, në raportet e tij mbi Kongresin e Manastirit, i shkruan Vjenës si më poshtë:
“Drei der albanesischen Alphabetparteien, nämlich die toskische, die miedia’sche und die der Jesuiten haben sich unter meiner jahrelangen Einwirckung geeinigt, die Alphabetfrage durch ein Kompromis-Alphabet zu lösen. Der Einwirkung dieser bedeutungsvollen Tatsache konnte sich auch der isoliert gebliebene Msgr. Primo Doçi nicht entziehen und erklärt nun auch seinerseits, das Alphabet der Majorität zu akzeptieren. Ein in wenigen Wochen in Monastir zusammentretender Albanesen-Kongress, zu welchem Delegierte aller Parteien erscheinen werden, wird das zukünftige Alphabet festsetzen und namens der Nation proklamieren.”
Përkthim dhe përshtatje:
Të tria palët e alfabeteve shqiptare – Alfabeti Toskë, Alfabeti i Mjedës dhe ai i Jezuitëve – gjatë një përpjekjeje dhe zhvillimi shumëvjeçar, tanimë janë pajtuar që çështjen e alfabetit ta zgjidhin me anë të një kompromisi. Zhvillimi i kësaj çështjeje me rëndësi nuk ishte i mundur pa tejkalimin e qëndrimit të izoluar të monsinjor Prenkë Doçit. Në anën tjetër, theksohet se alfabeti nuk mund të pranohet nga mazhoranca pa një kompromis.
Në javët e ardhshme, delegatë të të gjitha palëve do të takohen në një kongres shqiptarësh në Monastir. Në këtë takim, alfabeti i njësuar do të shpallet dhe do të proklamohet në emër të kombit shqiptar.
(Burimi: Telegrami Nr. 9249, Herr Kral, Scutari, 7 shtator 1908. HHStA, P.A. XIV, Albanien, Liasse XIV, XV, XVII/1-4, Chiffre Nr. 42)