Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.
Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit. Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit. Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë.
I përpirë nga fryma e Lidhjes së Prizrenit dhe idetë nacionaliste vjershën e parë e ka shkruar 13 vjeç. Nis shkrimet me pseudonimet Marosh Ujka, Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri dhe Pali, Hamidi. Me veprën Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim botuar në Napoli më 1906, bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet e në Napoli Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja etj. Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár». I dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tone. Parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Sipas një shkrimi përkujtimor nga Harapi, interesat kulturore të Gurakuqit shtriheshin nga kultura klasike romake e latine, historia e vendit dhe ajo botërore, arkeologjinë, shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë pedagogjike kombëtare dhe europiane.Zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme. Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar. Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”.
Me Konicën nuk shkonte mirë që në kohën e Kongresit të Durrësit, gjë të cilën nuk ia fali as pas vrasjes së Gurakuqit, duke shkruar më 12 nentor 1925 “Luigj Gurakuqi ishte njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe i kuptimit modern të shtetit, intrigant, prapanik dhe i errët”. Miqtë e tij do ta kujtonin në mënyra të veçanta, Noli do t’i kushtonte poezinë elegjiake me titull “Syrgjyn vdekur”, ndoshta më e ndjera ndër poezitë shqiptare. Në publicistikë kanë shkruajtur për të P. Harapi, P. Shllaku, S. Vinjau, F. Fishta e Dom L. Shantoja. «Tjetërkund, njerzit e idealit, ne u mbytshin për së gjalli, nderohen per së dekuni. Ndër né ata mbyten dy herë: edhe harrohen? Nji komb qi lindet ká nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kan çë bâjn në nji komb qi i harron e i përbuzë?» Fjalët e P. Gjon Shllakut në një artikull përkujtimor për përvjetorin e vrasjes. Miku i tij, piktori dhe fotografi Kel Kodheli, i kushtoi një kompozim në vaj mbi karton, në përmasat 55 me 78 cm, që ka fiksuar kthimin në Shkodër të Gurakuqit pas shpalljes së kushtetutës osmane me 2 korrik 1908. Pas zbarkimit te moloja e qytetit, anës pajtonit, të cilit në çast turma që shtyhej t’i dilte para, ia ka shmprehur kalin, për të tërhequr vetë shtagat e për të çuar Luigjin gjer në Miletbahçe. Piktura u ekspozua në shtëpinë e Gurakuqve kur u shndërrua në shtëpi muze më 19 shkurt 1964.
Mbrëmjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit “Cavour”, Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke thënë: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij.” Duke dalur nga restoranti i hotelit u pa me Balto Stamollën, i cili i zbrazi tri plumba. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat. Kuestura lajmëroi koloninë shqiptare që ceremonia nuk mund të zhvillohej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezës. Drejt Barit rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Ll. Fundos, B. Valterit etj. Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.” Në çastet e përgatitjes së varrimit, miku i afërt i Gurakuqit, Gjon Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte veshur kur u vra. Më 27 nëntor 1957 qeveria komuniste që në dukje mbështeste Lëvizjen e Qershorit, solli në Shkodër eshtrat e tij të cilat u rivarrosën te varrezat e dëshmorëve. Regjimi komunist i dha titullin Hero i Popullit./ Panorama