Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjetet sociale një video nga Laboratori i Qendrës Muzeore, Berat, ku bëhet një punë e konsiderueshme në drejtim të ruajtjes e restaurimit të veprave të artit ikonografik.
“Jo vetëm ekspozim dhe promovim, por edhe konservim e restaurim. Kryeveprat artistike që ruhen dhe ekspozohen në Muzeun Ikonografik “Onufri” konservohen e restaurohen me kujdes në Laboratorin pranë Qendrës Muzeore, Berat, duke i risjellë në gjendjen fillestare pa i fshehur moshën, ndërhyrjet gjatë viteve dhe patinën e kohës”, shkroi ministri Gonxhja.
Nga viti në vit Qendra Muzeore Berat ka njohur rritje të vizitueshmërisë, duke u kthyer në një nga atraksionet kryesore të qytetit. Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është muzeu i parë që ka aplikuar teknologjinë në zbulimin e thesareve kulturore kombëtare. Muzeu rrëfen mbi kryeveprat që ruan brenda tij, në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.
Një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes, siç është ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë, gjendet në këtë muze, së bashku me kodikët e purpurt, të mbrojtur nga UNESCO.