Nga: Skënder Latifi
“Vetë pozita që e ka Prishtina nuk është e volitshme që të rekomandohet si seli e konsullatës sonë”, ka raportuar Sllobodan Jovanoviq të cilin Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë më 1894 e ngarkoi t’i inspektojë konsullatat serbe në Prishtinë, Shkup, Manastir dhe Selanik. Në një raport të javës së tretë të nëntorit të vitit 1895 shkruhet për transport armësh për serbët prishtinas, duke i sjellë ato prej Serbie. Në një tjetër flitet për dy partitë serbe dhe për përçarjet midis shqiptarëve
Sllobodan Jovanoviq (1869 – 1958) është njëri prej personaliteteve serbe ndaj të cilit mllefin më të madh gjatë Luftës së Parë Ballkanike e shprehu hebreu Lav Trocki (1879 – 1940). Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Jovanoviq ishte shef i byrosë së informimit dhe pengesat e tij për Trockin shfaqeshin kudo ku ai e shihte të nevojshme të shkonte. Kuptohet që për Trockin leja e vonuar për t’i vizituar vendet e masakrave të ushtrisë serbe që ai e merrte nga Jovanoviqi nuk i kryente punë, pasi në trevat shqiptare në vendmasakrime, gazetarët lejoheshin të shkonin vetëm atëherë kur gjurmët e tyre thuajse zhdukeshin tërësisht.
Pikërisht më 14 qershor të vitit 1894, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ngarkoi Jovanoviqin që t’i inspektojë konsullatat serbe në Prishtinë, Shkup, Manastir dhe Selanik. Me të arritur në Prishtinë ai u prit nga zëvendëskonsulli Branisllav Nushiq i cili i kërkoi Jovanoviqit që bashkë ta vizitonin Shkodrën. Nuk ishte hera e parë që Nushiq “digjej” për ta vizituar Shkodrën, por vetë ministria përkatëse nuk i kishte dhënë leje atij për ta realizuar vizitën.
Por t’i kthehemi raportit inspektues të Jovanoviqit, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Serbisë.
Të kujtojmë se që nga 26 prilli i vitit 1893 zëvendëskonsull i Serbisë në Prishtinë ishte emëruar Branisllav Nushiq ndonëse detyrën zyrtare ai e pranoi më 3 qershor të po këtij viti.
“Midis 6 korrikut dhe 9 gushtit unë i kam vizituar konsullatat tona në Turqi”, thuhet në raport që është ndarë veç e veç për secilin vend ku Jovanoviq ka qëndruar. Ai më tej ka shkruar se “si njëra prej konsullatave serbe më me rëndësi ishte ajo e Prishtinës”. Qysh në fillim të qëndrimit në Prishtinë, Jovanoviq ka prekur çështjen e transferimit të konsullatës në Mitrovicë, pasi sipas tij “motivet e transferimit të konsullatës nga Prishtina në Mitrovicë nuk ishin të pakta”.
Prishtina e parëndësishme për Serbinë!
“Vetë pozita që e ka Prishtina nuk është e volitshme që të rekomandohet si seli e konsullatës sonë”, ka raportuar Sllobodan Jovanoviq, duke mos e zbuluar idenë e transferimit në Mitrovicë të konsullatës serbe, që në fakt ishte kërkesë e zëvendëskonsullit Nushiq. Më pastaj inspektuesi i konsullatave i ka numëruar mangësitë që i ka Prishtina për të qenë seli e konsullatës.
“Prishtina ndodhet një orë të plotë larg Stacionit Hekurudhor. Gjithashtu, Prishtinën nuk e pret asnjë rrugë e rëndësishme. Mund të themi se qyteti ndodhet si pas shpine. Sa kjo është e vërtetë mund të shihet në lidhje me Pejën, ku me çështjet e atjeshme nuk merret zvendëskonsulli jonë në Prishtinë, por konsulli në Shkup, ndërsa vetë Peja është më afër me Prishtinës sesa me Shkupin. Të vetmet lidhje që Prishtina i ka janë me Graçanicën, Gjilanin, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Por, nuk është çështja vetëm në lidhje me pozitën jo të volitshme të Prishtinës, por problemi qëndron edhe në popullatën prishtinase. E shmangur si qendër, Prishtinën e vizitojnë pak të huaj, prandaj edhe prishtinasit nuk janë të mësuar me njerëz të huaj dhe ata i shohin ata me mosbesim. Këtë urrejtje ndaj të huajve konsullata jonë e ka provuar në masë të plotë, për aq më tepër që është e vetmja përfaqësi e huaj në këtë qytet. Në kohën kur qëndrova në Prishtinë, zëvendëskonsullit tonë bile edhe zyrtarisht ia kanë zënë për të madhe se pse gavazi i tij shkon për të mbushur ujë në Graçanicë, pasi uji i pijshëm në Prishtinë nuk është edhe aq i mirë! Më pastaj në mënyrë shoqërore i është thënë zëvendëskonsullit, që të mos dalë në ballkonin e konsullatës pas mbylljes së çarshisë së Prishtinës, sepse ky veprim merret si njëfarë kryeneçësie, dhe më në fund derisa sa unë isha në Prishtinë një mbrëmje pati të shtëna armësh.
Arsyeja e vërtetë nuk dihej por prej përkthyesve mora vesh se të qëlluarit me armë, ishte demonstrim kundër konsullatës sonë”, shkruante Jovanoviq. Rrëfimi i tij vazhdon.
“Më thanë se në rastet kur në konsullatë duhet të valojë flamuri ynë, popullsia shqiptare dhe turke ndihen të poshtëruara dhe atyre ditëve në çarshinë e Prishtinës ndihet njëfarë përzierje e situatës. Me një fjalë vetë konsullata jonë këtu nuk përjetohet ndryshe pos njëfarë lloj provokimi. Në këtë mënyrë konsullata nuk ka por edhe nuk mund të ketë lirinë e caktuar të lëvizjes që ta zhvillonte ndonjë aktivitet të suksesshëm propagandues. Prandaj është e rrugës që të lëmë anash atë që është gjithnjë nën mbikëqyrje dhe para se gjithash duhet pasur kujdes që mos të lëndohet ndjeshmëria e shqiptarëve dhe turqve dhe të shmangen konfliktet në çarshi, të cilat mund të prodhojnë skandale të pahijshme. E tërë detyra e konsullatës serbe është që vallë konsullin mos ta gjejë fati i të mjerit Lluka Marinkoviq”, ka përfunduar Jovanoviq pas qëndrimit në Prishtinë në verën e vitit 1894.

Branisllav Nushiqi, zëvendëskonsull në Prishtinë, me rojën e tij Dimitrije dhe udhërrëfyesin shqiptar (Foto nga libri: “Branisllav Nushiq – diplomat i Mbretërisë së Serbisë 1889-1900”)
Serbët turkofilë të Prishtinës
Në vazhdim të raportit, besohet se Jovanoviq nuk do të ketë mbetur i kënaqur me organizimin politik të pakicës serbe në Prishtinën e fundshekullit XIX.
“Në Prishtinë ekzistojnë dy parti, (të serbëve – S. L.) njëra prej tyre është parti e pastër serbe, ndërsa tjetra është më tepër turkofile. Partinë turkofile e përbëjnë njerëzit e pasur që me synim të ruajtjes së pasurisë kujdesen që me pushtetin t’i kenë punët mirë. Në këtë drejtim disa shkojnë edhe më larg dhe shpeshherë bile janë të gatshëm të spiunojnë te pushteti për çështjet e brendshme (të serbëve). Prandaj, nuk duhet llogaritur në partinë e serbëve turkofilë, së paku nëse është fjala për çështjet delikate. Kur unë arrita në Prishtinë, njerëzit (serbët) kryesorë nga partia jonë popullore më thanë se kohëve të fundit, në hyqymet përkrahje të pakontestueshme kishte Partia Turkofile. Në anën tjetër, qysh më herët ka ekzistuar marrëveshja midis konsullatës sonë dhe Partisë Popullore, që veprimtaritë sekrete duhej të mbaheshin të panjohura edhe në raport me Partinë Turkofile, sidomos duhet të mbahet në fshehtësi çështja e raportit të mësuesve (serbë) me konsullatën dhe nuk duhet të dihet se kush dhe me çfarë shume parash paguhet për punët që i kryen. Popullatës së zakonshme dhe njerëzve nga Partia Turkofile, deri më tani iu është thënë se mësuesit paguhen nga buxheti i Komunës së Prishtinës dhe ata marrin shumë më pak para sesa që i deklarojnë. Fatkeqësisht kjo çështje nuk vazhdoi si më parë. Kur në dimrin e kaluar, Branisllav Nushiq, që në fakt është zëvendëskonsull në Prishtinë e zëvendësoi Millojko Veselinoviqin (zëvendëskonsulli i klasës së tretë në Shkup), Nushiqi nisi të punojë me ata njerëz që paraardhësi i tij i kishte shmangur, madje ai ua hapi zemrën mu atyre njerëzve të Partisë Turkofile, duke i informuar se vetë konsullata serbe i paguante mësuesit, bile para tyre ai i shpalosi edhe listat e pagesës, prandaj gjithçka doli sheshit, pra kush dhe sa paguhej! Prej asaj kohe, disa serbë u detyruan që të jenë vigjilentë ndaj serbëve turkofilë. Duke i ditur punët tona të fshehta, duhet ditur se nëse u shkaktohet diçka e pahijshme serbëve turkofilë, atëherë ata mund të denoncojnë te pushteti në shenjë hakmarrjeje dhe në këtë mënyrë ta dëmtojnë shumë çështjen tonë (serbe). Më pastaj ata janë të vetëdijshëm për ndikimin dhe fuqinë që e kanë dhe si e kanë fituar atë, prandaj edhe e mbajnë komunën duke e shantazhuar në mënyra të ndryshme. Se sa pak patriotizëm ka në Partinë Turkofile do të dëshmojë shembulli i mëposhtëm. Një serb emrin e të cilit e kam harruar, vitin e kaluar për festën e shtëpisë e ftoi edhe zëvendëskonsullin Nushiq. Ky iu përgjigj ftesës, por shtrohet pyetja se a bëri mirë që ai i shkoi atij në atë festë? Z. Ministër më së miri është që ju vetë të gjykoni për veprimin e tij! Në atë festë në një çast nikoqiri ishte ngritur duke iu drejtuar me gotën në dorë zëvendëskonsullit i cili e priti me fjalët ‘se athua vallë a e meritonte këtë mikpritje, sepse aty kishte njerëz që punonin dhe kishin punuar për çështjen serbe edhe para se të hapej konsullata në Prishtinë’. Dhe përnjëherë në këmbë ishte ngritur edhe koka e Partisë Turkofile e serbëve prishtinas, Haxhi Vitkoja, duke menduar se ai ishte njeriu që kishte punuar më së shumti për çështjen serbe, por në fund zëvendëskonsulli Nushiq tha me gojë të vet se njeriu më meritor ishte protojereji i Lipjanit, ndërsa Haxhi Vitkoja reagoi duke thënë me ironi ‘mu ai është më meritori’. Por nuk përfundoi me kaq, pasi Haxhi Vitkoja të nesërmen ia mësyni hyqymetit”.

Portret i Sllobodan Jovanoviqit realizuar nga Urosh Prediq më 1931
Gjendje aspak më e mirë midis elitës së Prishtinës
Ndonëse qarqet politike të Beogradit të atëhershëm me vëmendje i përcillnin ndryshimet në krye të pushtetit në Vilajetin e Kosovës, sidomos se kush vinte në pozitat udhëheqëse në Prishtinë, ato mbetën të dëshpëruara kur si mytesarif i këtushëm në gushtin e vitit 1894 erdhi Mehmet Muharrem efendia.
“Konsullata tani gjendet në pozitën sikur të ishte e rrethuar. Me ardhjen e mytesarifit të ri, është shtuar kontrolli sidomos rreth hyrjeve dhe daljeve të njerëzve në konsullatën tonë. Nëse më parë kjo bëhej në mënyrë paksa më të fshehur, tashmë kontrolli bëhet hapur. Nëse ndonjë qytetar (serb S. L.) e ka ndonjë punë në konsullatë dhe i drejtohet asaj me të dalë, zaptitë e presin shumë afër ndërtesës dhe më pastaj personi gjegjës dërgohet në stacionin e policisë. Bile ky mosbesim ndaj nesh tani manifestohet edhe ndaj shqiptarëve, që vijnë në konsullatë! Kur një ditë në konsullatën tonë ishte një shqiptar që e kishte shitur pronën në Serbi dhe duhej të rregullonte diçka, me të dalë prej ndërtesës atë e morën dhe e dërguan në stacionin e policisë”, raportonte zëvendëskonsulli Nushiq në javën e parë të tetorit të vitit 1894. Megjithatë personi më i urryer prej konsullatës dhe qarqeve politike në Prishtinë ishte myftiu Sylejman Aga. Por edhe pse raportet diplomatike të konsullatës serbe në Prishtinë por edhe gjithandej nëpër tokat shqiptare e paraqisnin gjendjen zi e më zi, marrëdhëniet midis qytetarëve të zakonshëm nuk ishin të tilla.
“Shqiptarët janë shumë të brengosur, por disa prej tyre që kanë miqësi me serbët iu rekomandojnë këtyre që të kenë kujdes”, thuhet prerazi në një raport. Por, duhet pasur parasysh se reflektimet e informacioneve që shkëmbeheshin në relacionin midis konsullatave turke në Serbi dhe atyre serbe në tokat shqiptare, padyshim se ndikonin edhe në dinamikën e zhvillimi të përditshmërisë.
Kështu kur pushteti e kishte pranuar raportin e konsullit turk prej Nishit se njëfarë Bilall Aga po transportonte armë për serbët prishtinas, duke i sjellë ato prej Serbie, situata në Prishtinë ishte rënduar mjaft”, thuhej në një raport të javës së tretë të nëntorit të vitit 1895 dërguar prej Prishtine.
Ndonëse siç u pa më lart gjendja midis krerëve të pakicës serbe në Prishtinë nuk ishte për lakmi, gjendje aspak më e mirë nuk ishte as midis elitës prishtinase të fundit të shekullit XIX.
“Ka kohë që Prishtina është pa mytesarif por edhe pa komandat të xhandarmerisë. Mytesarifi i vjetër është ndërruar dhe tani për tani tërë Kosovën e drejton kadiu”, ishte gjendja në Prishtinën e javës së parë të qershorit të vitit 1896. Përçarjet midis elitës prishtinase kishin marrë hov me rastin e largimit të mytesarifit.
“Midis shqiptarëve në Prishtinë ekzistojnë dy parti. Njërën parti e përbëjnë simpatizantët e myftiut të shkarkuar Sylejman Agës, ndërsa partia tjetër është e lidhur me myftiun e tanishëm. Këto dy parti urrehen mes vete dhe ato nuk kanë kurrfarë bashkëpunimi. Në vitet e fundit ka pasur shumë tubime të ndryshme nëpër xhamitë e Prishtinës, por nuk ka ndodhur kurrë që këto dy parti të këshillohen bashkërisht rreth ndonjë çështjeje”, portretizohej situatë konkrete midis elitës prishtinase.
Bile gjendjen midis elitës prishtinase të verës së vitit 1896, zëvendëskonsulli Branisllav Nushiq e ka letrarizuar në tregimin “Dushmanët“ të publikuar në librin “Pasdarkat e ramazaneve” të botuar në Sarajevë në vitin 1898 dhe më pastaj të ribotuar në Beograd në vitin 1922.
“Se sa dushmanë janë Zejnel Beu dhe Lutfi Beu, këtë e dinë edhe fëmijët e vegjël! Ata jetojnë në të njëjtën mëhallë dhe në të njëjtin sokak, por duke e shmangur njëri-tjetrin, Zejnel Beu e bën namazin në Xhaminë e Ibrahim Pashës, ndërsa Lutfi Beu në Tashxhami. Bile ata nuk shkojnë as në të njëjtën kafene, Lutfi Beu shkon në kafen e Ali Babës, ndërsa Zejnel Beu në kafen e Uzun Hysës. Kështu është ndarë edhe kasabaja, dhe ata që shkojnë te Ali Baba janë të tarafit të Lutfi Beut, kurse ata që shkojnë te Uzun Hysja të tarafit të Zejnel Beut. Dhe ta shohësh se edhe ata tarafët shihen me inat mes vete. Kur vjen koha e zgjedhjes së azavepër mexhlis, dhe atëherë kërcen njëri taraf e pastaj tjetri, dhe njëra palë nuk u lejon njerëzve të tarafit të Lutfi Beut që të zgjidhen në mexhlis, ndërsa tjetra u pengon të zgjedhurve të tarafit të Zejnel Beut. Thonë, ja tash njëzet vjet që Lutfi Beu nuk ka kaluar afër shtëpisë së Zejnel Beut edhe pse rruga për të zbritur në çarshi kalon kah shtëpia e tij, por ai madje shkon rreth e përqark bazhdarhanes, duke e munduar veten në baltën e dimrit… Çka është më e keqja ata nuk i lënë edhe fëmijët të luajnë bashkë. Mjerë për fëmijët nëse mashtrohen dhe luajnë bashkë. Derisa ishte vetëm një mejtep në Tashxhami në shtëpinë vakëf, Zejnel Beu e çonte atje të birin, po ai nuk e la më aty për sa Lutfi Beu e solli fëmijën e tij. Po, lërini ato, po ta shihni se çfarë ndodh rreth pazarit. Për shembull Zejnel Beu e blen një ngarkesë dru, ose qymyr; fshatari i kërkon gjashtë dhe ai i jep pesë groshë, dhe në çastin që ai është gati që t’ia japë edhe ndonjë metalik, kërcen Lutfi Beu duke e çuar ndonjë njeri të vetin dhe ia jep fshatarit gjashtë groshë, me të vetmin qëllim që t’ia marrë Zejnel Beut pazarin para hundës”.
Nuk ka dyshim se Nushiq ishte mjeshtër i përshkrimeve të situatave të tilla dhe për këtë e dinë edhe njohësit e opusit të tij letrar, veçmas të komedive që ai i shkroi.
Megjithatë ishin dy tubime të shqiptarëve që i zbehën pritjet nga përçarjet prishtinase.
“Përjashtim bëjnë vetëm dy tubimet e fundit ku dy partitë mbajtën këshillime të përbashkëta. Mirëpo duket hapur se çështjet që u diskutuan aty janë veçmas shqiptare dhe gjithsesi ato janë të ndërlidhura me të krishterët e këtushëm. Është për t’u habitur se kësaj here nuk arrita të mësoj asgjë se çka është vendosur në ato kuvendime. Më herët nuk kalonin dy-tri ditë pa kuptuar qëllimin e mbajtjes së ndonjë tubimi. Prishtina është qytet i vogël dhe fjala shumë lehtë bartet prej shtëpie në shtëpi, prej mëhalle në mëhallë. Prandaj çuditem se si është e mundur që të dy kuvendimet ishin të mëdha dhe në to mori pjesë një numër i madh i njerëzve dhe asnjë fjalë e vetme lidhur me to deri më tani nuk është dëgjuar, që do të thotë se vendimet e sjella aty, janë përmbyllur me dhënie të betimit në fshehtësi dhe kjo do të thotë se vendimet e sjella aty kanë rëndësi të veçantë.
Në çarshinë e Prishtinës qarkulluan vetëm informacione se shqiptarët tashmë janë të bindur se serbët në këtë qytet ishin të gatshëm dhe të organizuar… Shqiptarët besojnë se armët dhe municionet tani gjendeshin nëpër kishat serbe dhe në konsullatë”.
Ndërsa sipas raportit të konsullit austro-hungarez Rohm nga Shkupi, tubimi i shqiptarëve ishte i karakterit kombëtar dhe në të “morën pjesë edhe figura laike me ç’rast shqiptarët e lidhën besën mes vete”.