Përkrahja e Kroacisë, sipas presidentes Vjosa Osmani, po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë
“Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte”.
Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në llogarinë e saj në Facebook, pas takimit me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Sipas saj, mbështetja e Kroacisë po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.
“Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë. President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës”, shkroi Osmani.
Ndryshe, Osmani u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë për sanksionim ndaj Serbisë, duke thënë se mosveprimi do të sjellë inkurajimin e tyre për sulme ndaj Kosovës.
“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe frenimi e sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Sipas Osmanit, Kosova mbetet e palëkundur në vizionin dhe përpjekjet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar se Kosova po punon për synimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, duke i njohur ato edhe si garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në gjithë rajonin.
Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me homologun kroat, ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.