Qeveria ka përzgjedhur tashmë kompaninë e cila do ta ndërtojë fabrikën e municionit, kanë bërë të ditur për KOHËN burime në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas këtyre burimeve, kompania turke me të cilën në fillim të javës do të nënshkruhet marrëveshja, është “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE). Ajo do të jetë përgjegjëse për ta ngritur gjithë fabrikën.
“Faza e parë që duhet të kryhet brenda dy vitesh, nënkupton që fabrika të nisë të prodhojë dy lloje municionesh. Njëri do të jetë i kalibrit 5.56 mm dhe tjetri 7.62 mm. Marrëveshja do të përfshijë edhe dizajnimin e fluturakeve pa pilotë”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, në emër të Qeverisë, marrëveshjen me MKE-në do ta nënshkruajë kryeministri Albin Kurti.
Muajin e shkuar, Qeveria e themeloi Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.